Nations League/ “E merituam fitoren, edhe me 10 lojtarë”, Maran kritikon arbitrin pas humbjes me Finlandën

TIRANË, 3 tetor 2026 /Albania Express News/- Pas humbjes 2-1 ndaj Finlandës në Helsinki, trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, nuk e ka fshehur zhgënjimin për rezultatin, duke vlerësuar se kuqezinjtë bënë një paraqitje që meritonte më shumë.

Tekniku italian theksoi se Shqipëria, edhe pse mbeti me 10 lojtarë, reagoi mirë dhe sipas tij kishte mundësi të merrte edhe fitoren. Maran u ndal edhe te vendimet e gjyqtarit, të cilat i cilësoi si të pakuptueshme.

“Meritonim një rezultat shumë të mirë. Meritonim edhe fitoren, edhe pse luajtëm me 10 lojtarë. U penalizuam nga kartoni i kuq, por skuadra reagoi mjaft mirë”, u shpreh Maran pas ndeshjes.

Trajneri italian pranoi se skuadra duhet të përmirësojë disa aspekte të lojës, por vlerësoi reagimin e futbollistëve dhe karakterin e treguar në një situatë të vështirë.

“Duhet t’i përmirësojmë disa gjëra. Por një paraqitje e tillë na bën të ecim përpara. Na penalizuan edhe disa vendime arbitrare që janë disi të pakuptueshme. Gjithsesi, ne vazhdojmë të ecim përpara”, deklaroi ai.

Maran foli edhe për zgjedhjet taktike dhe mungesën e Rey Manajt në fushë, duke argumentuar se sulmuesi do t’i kishte dhënë më shumë alternativa skuadrës në fazën ofensive.

“Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Na duhej Manaj në fushë, sepse është gjithmonë në kontakt me topin. Mund të shfrytëzonim edhe hapësirat që krijonte Muçi. Na penalizoi ndeshja, prandaj zëvendësuam edhe Hoxhën”, përfundoi trajneri i Shqipërisë.

Humbja në Helsinki e lë Shqipërinë pa pikë në këtë përballje, ndërsa kuqezinjtë do të synojnë reagimin në sfidat e ardhshme të Nations League.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME