Volejboll – Ndeshjet e para të Pogradecit dhe fillimi i mbarë me Kupën

Nga Redi Dandallaku

POGRADEC , 3 tetor 2026 /Albania Express News/-Skuadra e Pogradecit e ka nisur sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme: me një trofe. Fitorja e Kupës së Federatës ka sjellë jo vetëm një trofe në vitrinën e klubit, por edhe një sinjal pozitiv për atë që mund të jetë një tjetër sezon konkurrues për skuadrën liqenore.

Rruga drejt trofeut nuk ishte pa vështirësi. Pas fitores së lehtë ndaj Lushnjës, Pogradeci u përball me Skënderbeun, duke humbur 0-3. Në atë takim u evidentuan probleme në komunikim, përgjumje e vijës së dytë në topin e parë dhe disa gabime që ndikuan drejtpërdrejt në lojën e skuadrës.

Reagimi, megjithatë, ishte i menjëhershëm.

Pogradeci fitoi 3-0 ndaj Partizanit dhe më pas 3-1 ndaj Tiranës, duke treguar një tjetër fytyrë. Skuadra u mobilizua, uli numrin e gabimeve dhe nisi të shfaqte më shumë qartësi në lojën e saj.

Në finale, përballë të njëjtit kundërshtar, Skënderbeut, Pogradeci ishte një skuadër tjetër. Fitorja 3-1 ishte bindëse dhe loja u kontrollua në pjesën më të madhe të saj. Përveç vlerës së trofeut, ky triumf ishte edhe një përgjigje sportive ndaj humbjes së mëparshme.

Afrimet e reja, veçanërisht Ardila dhe Vargas, i kanë shtuar ekipit më shumë cilësi dhe alternativa.

Ribërja e ekipit

Pogradeci i këtij sezoni mund të konsiderohet një skuadër e rindërtuar. Nëntë lojtare janë larguar, mes tyre edhe emra të rëndësishëm si Paola Gjata, Xhonson, Stanford dhe Anxhela Mehmeti.

Në vend të tyre kanë ardhur Vargas, Ardila, Papszun, Massari, Koleci dhe Hasaj, ndërsa një tjetër element pozitiv është vazhdimi i bashkëpunimit me Kodra-Kalludrën, dy lojtare që patën një rol të rëndësishëm sezonin e kaluar.

Rindërtimi i një skuadre në nivele të larta nuk është i lehtë. Duhet kohë për të krijuar automatizmat, për të ndërtuar komunikimin dhe për të gjetur ekuilibrin mes lojtareve të reja dhe atyre që kanë qenë pjesë e projektit.

Kupa e Federatës tregon se Pogradeci ka arritur ta bëjë këtë proces relativisht shpejt.

Gjata dhe Mehmeti, dy largime që ndihen

Largimi i Paola Gjatës ka një peshë të veçantë për Pogradecin. Ajo ishte kapitenia e skuadrës dhe e vetmja lojtare nga qyteti që ishte pjesë e formacionit.

Tashmë Gjata i është bashkuar Tiranës.

Ndërkohë, Anxhela Mehmeti është rikthyer te Skënderbeu. Dy largime që përfaqësojnë jo vetëm humbjen e dy lojtareve me eksperiencë, por edhe të dy lojtareve me përfaqësim në kombëtaren shqiptare.

Për një klub si Pogradeci, ruajtja e një bërthame të tillë është gjithmonë një sfidë, sidomos kur objektivi është që skuadra të jetë konkurruese në nivelet më të larta.

Çfarë ndodh pas trofeut?

Kjo është pyetja që vlen të shtrohet tashmë për Pogradecin.

Shumica e kontratave njëvjeçare krijojnë rrezikun që skuadra të rindërtohet pothuajse çdo sezon. Një trofe është i rëndësishëm, por një klub nuk mund ta ndërtojë të gjithë filozofinë e tij vetëm mbi suksesin e momentit.

Nevojitet një model që krijon vlerë edhe në planin afatgjatë.

Kontratat më të gjata për lojtaret që konsiderohen pjesë e projektit, ruajtja e një bërthame të qëndrueshme dhe, mbi të gjitha, zhvillimi i talenteve të akademisë mund të jenë disa prej elementeve të këtij modeli.

Një klub nuk duhet vetëm të blejë cilësi, por edhe të prodhojë cilësi.

Akademia, produkti që mbetet

Një tjetër element që meriton vëmendje është fakti se edhe këtë sezon nuk është afruar asnjë lojtare nga akademia në ekipin e parë.

Sigurisht, nëse objektivi kryesor është fitimi i trofeve, nuk mund të kërkohet që një skuadër e nivelit të lartë të ndërtohet vetëm me lojtare të akademisë.

Por një klub i qëndrueshëm duhet të ketë një sistem që prodhon vazhdimisht lojtare.

Lojtaret e huaja mund të vijnë dhe të largohen pas një sezoni. Një lojtare e formuar në Pogradec mbetet pjesë e identitetit të klubit dhe të qytetit.

Nëse zhvillohet dhe arrin të luajë në nivele më të larta, ajo mund të kthehet edhe në një aset sportiv dhe ekonomik për klubin.

Kjo është një filozofi që kërkon investim, durim dhe një projekt të qartë, por në planin afatgjatë mund të krijojë një bazë më të qëndrueshme për të ardhmen.

Është bukur kur pallati i sportit mbushet, kur qyteti feston dhe kur Pogradeci ngre kupa. Por sfida e vërtetë është të ndërtohet një model që fiton sot dhe njëkohësisht krijon bazat për të fituar edhe nesër.

Ndeshja e parë e kampionatit, sërish përballë Skënderbeut

Pas suksesit në Kupën e Federatës, Pogradeci do ta nisë kampionatin me një përballje që premton emocione.

Kundërshtari do të jetë pikërisht Skënderbeu, skuadra që Pogradeci mposhti 3-1 në finalen e Kupës së Federatës.

Takimi do të luhet këtë fundjavë, në orën 18:00, në pallatin e sportit “Arefi Berberi”.

Pas humbjes në finale, korçarët pritet të zbresin në parket me motivimin maksimal për të reaguar, ndërsa Pogradeci do të kërkojë të konfirmojë formën e treguar në ndeshjet e Kupës.

Një duel që vjen shumë shpejt pas finales dhe që do të jetë një tjetër provë për skuadrën liqenore në fillimin e sezonit.

Kupa tashmë është në Pogradec. Tani nis sfida më e gjatë: kampionati.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME