Hipokrizia e një abstenimi

Nga Altin Toska, ish-kryetar i Bashkisë Cërrik

TIRANË ,01 tetor 2026 /Albania Express News/-Ka momente kur politika nuk matet me fjalët që thua, por me guximin për të mbajtur një qëndrim. Dhe abstenimi i këshilltarëve socialistë në Cërrik dhe Belsh, përballë reformës territoriale që synon shkrirjen e këtyre dy bashkive dhe bashkimin e tyre me Elbasanin, është pikërisht një nga ato momente kur hipokrizia politike del në pah.

Partia propozon, këshilltarët heshtin! Qeveria vendos, përfaqësuesit shmangin përgjegjësinë!

Çfarë është në të vërtetë ky abstenim? Mungesë bindjeje, mungesë guximi apo një skenar i parapërgatitur për të mos kundërshtuar partinë, por njëkohësisht për të mos mbajtur përgjegjësi përpara qytetarëve?

Kur vihet në diskutim identiteti, autonomia dhe e ardhmja e një bashkie, nuk mund të fshihesh pas një vote neutrale. Këshilltarët nuk janë aty për të mbrojtur karrigen e tyre politike, por interesin e qytetarëve që u kanë besuar votën.

Nuk mund të jesh njëkohësisht ushtar i partisë dhe të pretendosh se je mbrojtës i qytetit tënd, duke mos guxuar as të thuash PO, as të thuash JO.

Dhe pikërisht në këtë realitet të hidhur politik të vjen ndër mend Migjeni, me klithmën e tij të dhimbshme te “Mjerimi”:

“Mjerimi s’ka faj, por ju kini faj!”

Sepse mjerimi më i madh i politikës nuk është vetëm humbja e një bashkie, por humbja e dinjitetit, e përgjegjësisë dhe e guximit për të mbrojtur atë që përfaqëson.

Cërriku dhe Belshi nuk janë thjesht emra në një hartë administrative. Janë histori, identitet, tradita, komunitete dhe qytetarë që meritojnë të dëgjohen dhe të përfaqësohen.

Ata nuk kanë nevojë për përfaqësues që llogarisin interesin partiak përpara interesit publik.

Dhe kur vjen çasti për të mbajtur një qëndrim, abstenimi nuk mund të shërbejë si alibi politike.

Ose je kundër shkrirjes së bashkisë tënde, ose e mbështet atë. Por nuk mund të fshihesh pas heshtjes, duke shpresuar se nesër do të dalësh i larë përpara qytetarëve.

Historia i mban mend ata që mbrojnë interesin publik. Në këtë rast, ata që votuan kundër shkrirjes së bashkive morën një qëndrim të qartë dhe të lexueshëm për qytetarët. Por historia do të mbajë shënim edhe ata që, në një çast vendimtar për të ardhmen e komunitetit që përfaqësojnë, zgjodhën të heshtin.

Zoti ju dhëntë forcë për të kuptuar përgjegjësinë që keni, sepse qytetarët ju dhanë votën për të mbajtur qëndrim, jo për t’iu shmangur përgjegjësisë!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME