Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Elbasan ka nisur shpërndarja e librave falas për nxënësit e të gjitha shkollave. Ky program synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve dhe të sigurojë që çdo fëmijë të ketë materialet e nevojshme për fillimin e vitit të ri shkollor.
Diku librat janë shpërndarë në mënyrë të mirëorganizuar, e diku procesi ka hasur në disa vështirësi. Megjithatë, prindërit kanë nxituar të përfitojnë nga kjo lehtësi, duke ndarë mendime të ndryshme mbi koston e materialeve të tjera shkollore që duhet të sigurojnë vetë.
Bashkia e Elbasanit ka investuar këtë vit në përmirësimin e infrastrukturës në disa shkolla, duke garantuar ambiente më të sigurta dhe më komode për nxënësit. Korridoret, klasat dhe oborret janë pastruar dhe rikonstruktuar në disa institucione arsimore, për t’i dhënë fëmijëve një ambient të përshtatshëm për mësim dhe zhvillim.
Në Elbasan, në bankat e shkollës do të ulen rreth 15 mijë nxënës, prej të cilëve 1200 në klasat e para. Kjo javë shënon fundin e përgatitjeve për çdo familje, e cila ka planifikuar me kujdes buxhetin e shtatorit për të mbuluar shpenzimet e shkollimit të fëmijëve.
Ky vit shkollor duket i veçantë, jo vetëm për librat falas, por edhe për përmirësimet në ambientet e mësimit, të cilat premtojnë një eksperiencë më të mirë për nxënësit dhe stafin mësimor.