Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në Hagë: Bashkëpunim i ngushtë me Europol-in kundër krimit të organizuar

HAGË, Holandë, 30 shtator 2026 /Albania Express News/ – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, po merr pjesë në Konventën Evropiane të Shefave të Policisë (EPCC), një forum i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit policor dhe sigurisë në hapësirën evropiane.

Në kuadër të vizitës në Hagë, para nisjes së konferencës, Drejtori Hita zhvilloi një takim të veçantë me Drejtorin Ekzekutiv në detyrë të Europol-it, Jürgen Ebner. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Holandës, Artur Kuko.

Gjatë takimit, Ebner e uroi Skënder Hitën për detyrën e re dhe vlerësoi vendosmërinë e treguar gjatë muajve të fundit për thellimin e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, agjencive ligjzbatuese dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Sipas Europol-it, Policia e Shtetit mbetet një partner i rëndësishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndërsa u vlerësua edhe puna e Zyrës Ndërlidhëse të Shqipërisë në Europol. Në fokus të vlerësimit ishte rritja e bashkëpunimit operacional, e reflektuar në shtimin e shkëmbimit të informacionit, hetimeve të përbashkëta dhe angazhimit në mekanizmat e Europol-it dhe EMPACT.

Ebner theksoi se këto rezultate lidhen me profesionalizmin dhe besueshmërinë në rritje të Policisë së Shtetit, duke e pozicionuar Shqipërinë në një nivel të konsoliduar bashkëpunimi me homologët evropianë.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, falënderoi drejtuesin e Europol-it për pritjen dhe vlerësimin, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes së agjencisë evropiane përmes ekspertizës, logjistikës, shkëmbimit në kohë të informacionit dhe zhvillimit të hetimeve e operacioneve të përbashkëta.

Hita deklaroi se forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar është pjesë e vizionit të tij për drejtimin e Policisë së Shtetit.

“Vizioni im në drejtimin e Policisë së Shtetit është i qartë dhe i mirorientuar: bashkëpunim i ngushtë, pa barriera, me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, si dhe me policitë partnere, duke kontribuuar denjësisht për sigurinë evropiane”, u shpreh Hita.

Ai vuri në dukje se krimi po shfrytëzon gjithnjë e më shumë teknologjinë dhe po merr karakter global, çka sipas tij kërkon forcim të vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale dhe operacionale të strukturave ligjzbatuese.

“Jemi në luftë me krimin e kohëve moderne, ku teknologjia, ashtu siç na shërben neve, i shërben edhe krimit, i cili përditë e më shumë po globalizohet. Ndaj, është shumë i rëndësishëm forcimi i kapaciteteve profesionale dhe operacionale, duke vepruar me partnerët, pa barriera”, deklaroi ai.

Në përfundim të takimit, Hita vlerësoi bashkëpunimin me Europol-in si një element të rëndësishëm për përballimin e krimit të organizuar ndërkufitar dhe përcolli urimet për zhvillimin me sukses të Konventës Evropiane të Shefave të Policisë, të cilën e cilësoi një aktivitet me rëndësi shumëdimensionale për forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë në Evropë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Skampa 2026 çel siparin, Elbasani për një javë në qendër të artit skenik ndërkombëtar

ELBASAN, 30 shtator 2026 /Albania Express News/- Festivali Ndërkombëtar...

Video intime të personazheve publike qarkullojnë në rrjetet sociale, Policia e Tiranës nis verifikimet

TIRANË ,30 shtator 2026 /Albania Express News/-Policia e Tiranës...

Cërrik, vijojnë ndërhyrjet ndaj zjarreve, Bashkia: Pakujdesia njerëzore mbetet një rrezik serioz

CËRRIK, 30 shtator 2026 /Albania Express News/- Zjarret vijojnë...