Menkulasi përgatitet për përurimin e Muzeut “Dritëro Agolli”, një hapësirë e re për të ruajtur kujtesën e shkrimtarit të madh

DEVOLL, 30 shtator 2026 /Albania Express News/- Ajo që dikur ishte një ide, një dëshirë dhe një angazhim i shprehur për të ruajtur dhe përcjellë në breza lidhjen e Dritëro Agollit me Devollin, tashmë po merr formë konkrete.

Në Menkulas, vendi i lidhur ngushtë me kujtesën dhe rrënjët e familjes Agolli, po bëhen përgatitjet e fundit për përurimin e Muzeut “Dritëro Agolli”, një projekt që synon të kthehet në një hapësirë të rëndësishme të kujtesës, kulturës dhe trashëgimisë letrare shqiptare.

Si çdo të shtunë edhe fundjavën e këtij shtatori , Shoqata Devolli u mblodh për të diskutuar mbi përgatitjet e fundit për këtë ngjarje të rëndësishme. Godina e muzeut tashmë ka përfunduar, ndërsa po vijon puna për arredimin dhe sistemimin e ambienteve të brendshme, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për ditën e përurimit.

13 tetori do të jetë dita kur kjo nismë do të marrë formën e saj përfundimtare. Ceremonia e përurimit do të zhvillohet në Menkulas dhe organizohet në bashkëpunim nga Bashkia Devoll, Shoqata Devolli dhe Këshilli i Qarkut Korçë.

Por, përtej përfundimit të godinës, muzeu synon të ndërtojë edhe një arkiv të gjallë të kujtesës për Dritëro Agollin.

Për këtë arsye, Shoqata Devolli u drejtohet të gjithë qytetarëve, familjeve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të shkrimtarit, duke i ftuar të kontribuojnë me fotografi, dokumente, letra, botime, materiale arkivore, objekte apo kujtime personale që lidhen me jetën dhe veprën e Dritëro Agollit.

*

Çdo material i ruajtur ndër vite mund të ketë një vlerë të veçantë për muzeun dhe për brezat që do ta vizitojnë atë. Përtej ekspozimit të objekteve, synimi është që në Menkulas të krijohet një hapësirë ku historia personale, krijimtaria letrare dhe kujtesa njerëzore e Dritëro Agollit të përcillen sa më autentikisht.

Nga ajo që dikur ishte thënë e diskutuar, te ajo që sot po bëhet realitet, Muzeu “Dritëro Agolli” përfaqëson një tjetër dëshmi se kujtesa kulturore mund të ruhet dhe të marrë jetë përmes bashkëpunimit të komunitetit dhe institucioneve.

13 tetori merr një simbolikë edhe më të veçantë, pasi është Festë Zyrtare e Devollit. Në këtë ditë, Menkulasi pritet të presë qytetarë, personalitete, përfaqësues të institucioneve, miq të letërsisë dhe admirues të veprës së Dritëro Agollit.

Muzeu synon të jetë një pikë takimi mes së shkuarës dhe së ardhmes, mes kujtesës së Devollit dhe kulturës shqiptare, mes veprës së një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm shqiptarë dhe brezave që do të vijnë.

Pas një rrugëtimi të nisur prej kohësh, Menkulasi tashmë është pranë momentit kur dyert e këtij muzeu do të hapen.

Mirë u takofshim më 13 tetor në Menkulas, në ditën e përurimit të Muzeut “Dritëro Agolli”!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME