CËRRIK, 28 shtator 2026 /Albania Express News/- Siguria rrugore e nxënësve ishte në fokus të tryezës së diskutimit “Rrugë të sigurta për në shkollë”, organizuar nga Bashkia Cërrik në bashkëpunim me WCDCA, Këshillin Vendor Rinor dhe strukturat vendore përgjegjëse për sigurinë dhe arsimin.
Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, Policisë, shkollave, prindërve dhe të rinjve, të cilët diskutuan draftin e Planit të Masave për Rritjen e Sigurisë Rrugore të Nxënësve.
Takimi shërbeu si një hapësirë për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim idesh mbi masa konkrete që synojnë krijimin e një mjedisi më të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë gjatë lëvizjes së tyre drejt dhe nga shkolla.
Një element i rëndësishëm i procesit ishte përfshirja aktive e të rinjve, të cilët sollën idetë, shqetësimet dhe propozimet e tyre për përmirësimin e sigurisë në komunitet.
Rrugë më të sigurta. Shkolla më të sigurta. Komunitete më të sigurta.


