TIRANË, 26 shtator 2026 /Albania Express News/- Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka paralajmëruar një publikim të ri, duke lënë të kuptohet se së shpejti do të ndajë me publikun një rrëfim mbi historinë dhe karrierën e tij.
“Disa histori i kam jetuar. Disa të tjera i kam dëgjuar të tregohen për mua. Do shihemi së shpejti. Ka kaq shumë për të thënë”, shkruan Tahiri në një postim të publikuar në rrjetet sociale, të shoqëruar me një video ku ai shfaqet pranë një ekipi xhirimi, duke bërë prova.
Pamjet kanë ngritur pikëpyetje nëse bëhet fjalë për një intervistë të re, një dokumentar apo një projekt tjetër audioviziv.
Sipas miqve të Tahirit, të pyetur lidhur me postimin, ish-ministri prej disa muajsh është përfshirë në realizimin e një dokumentari për jetën e tij. Sipas tyre, në dokumentar trajtohet karriera e tij politike, si edhe prapaskena dhe periudha e përballjes me çështjen penale për të cilën ai është përballur me drejtësinë.
“Dokumentarit është duke iu dhënë dora e fundit në montazh dhe do të transmetohet në rrjetet e tij sociale në ditët në vazhdim”, kanë pohuar miqtë e tij.
Tahiri nuk ka dhënë ende detaje të tjera për përmbajtjen apo datën e publikimit, ndërsa mesazhi i tij i fundit lë të kuptohet se dokumentari pritet të sjellë një rrëfim personal mbi periudha të rëndësishme të jetës dhe aktivitetit të tij publik.

