TIRANË, 26 shtator 2026 /Albania Express News/- Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe sigurisë para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Shqipëri-Bjellorusi, e cila do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.
Për shkak të fluksit të tifozëve, nga ora 17:00 do të kufizohet qarkullimi i automjeteve në disa akse rrugore pranë stadiumit. Në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, në terren do të angazhohen qindra punonjës policie për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë.
Akset ku do të kufizohet qarkullimi nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes janë:
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit;
- Rruga “Papa Gjon Pali II”, te kryqëzimi i RTSH-së;
- Rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
- Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
- Rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës, si koridor hyrjeje për në parkimin e caktuar, vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF;
- Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar;
- Te sheshi “Wilson”, ku pak para përfundimit të ndeshjes do të devijohet lëvizja në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”.
Ndërkohë, Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për qarkullimin e automjeteve.
Kontrolle të rrepta për tifozët
Policia njofton se para hyrjes në stadium do të kryhen kontrolle të imtësishme të tifozëve, me qëllim parandalimin e futjes së sendeve që mund të rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve.
Ndër sendet që nuk do të lejohen në stadium janë banderolat me përmbajtje raciste, fishekzjarrët, flakadanët, lëndët piroteknike, monedhat metalike, çadrat, çakmakët, karikuesit e celularëve, mjete apo produkte kozmetike dhe sende të tjera të forta ose të rrezikshme.
Policia u ka bërë thirrje tifozëve që të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke filluar nga ora 18:30, pasi fluksi i madh mund të shkaktojë vonesa dhe, për tifozët që mbërrijnë në minutat e fundit, mundësi të kufizuara për të hyrë në stadium para nisjes së ndeshjes.
Sipas Policisë së Shtetit, plani i masave është hartuar duke u bazuar në përvojën e aktiviteteve të mëparshme ndërkombëtare sportive dhe synon që ndeshja të zhvillohet pa incidente, duke garantuar rendin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit.

