ELBASAN, 25 shtator 2026 /Albania Express News/- Bashkia Elbasan është përzgjedhur si bashki pilot për përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI) në funksion të rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe aksesit të qytetarëve në informacionin publik.
Në këtë kuadër, në Elbasan është zhvilluar një takim prezantues, ku janë diskutuar mundësitë konkrete që ofron teknologjia e Inteligjencës Artificiale për përmirësimin e komunikimit mes institucionit vendor, qytetarëve dhe grupeve të interesit.
Nisma synon të krijojë një mënyrë më të thjeshtë dhe më të shpejtë për qytetarët që të informohen mbi performancën e Bashkisë, shërbimet publike dhe rezultatet e punës së administratës vendore, duke e bërë informacionin institucional më të aksesueshëm.

Një dritare interaktive për qytetarët
Prej disa vitesh, Bashkia Elbasan harton dhe publikon Raportin Vjetor të Performancës, i cili bazohet në një grup treguesish të përcaktuar për matjen dhe vlerësimin e performancës së bashkisë.
Raporti i Performancës për vitin 2025 është publikuar tashmë në faqen zyrtare të Bashkisë dhe është i aksesueshëm për qytetarët dhe të gjithë të interesuarit.
Raporti i Performancës – Bashkia Elbasan
Në kuadër të projektit pilot, synohet që ky informacion të mos mbetet vetëm në formën e dokumenteve dhe statistikave të publikuara, por të mund të konsultohet edhe përmes një dritareje interaktive komunikimi të bazuar në AI.

Përmes kësaj zgjidhjeje, qytetarët do të kenë mundësi të drejtojnë pyetje në gjuhë të thjeshtë lidhur me treguesit e performancës, shërbimet bashkiake, rezultatet e punës dhe çështje të tjera me interes publik, duke marrë përgjigje të shpejta bazuar në informacionin institucional të disponueshëm.
Kjo qasje synon të lehtësojë aksesin në informacion edhe për qytetarët që nuk kanë kohë ose mundësi të konsultojnë dokumente të gjata dhe raporte statistikore.
Bashkëpunim me “Bashki të Forta” dhe Smart Process
Zgjidhja teknologjike pritet të vihet në funksion brenda muajit shtator 2026, në kuadër të bashkëpunimit të Bashkisë Elbasan me projektin “Bashki të Forta”, në bashkëpunim me Smart Process.

Projekti “Bashki të Forta” mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida) dhe zbatohet nga Helvetas.
Përdorimi i AI në këtë proces përfaqëson një hap drejt digjitalizimit të mëtejshëm të komunikimit institucional dhe krijimit të mekanizmave të rinj për informimin e publikut.
Për Bashkinë Elbasan, pilotimi synon që teknologjia të shërbejë jo vetëm si një instrument modern komunikimi, por edhe si një mënyrë për ta bërë informacionin mbi punën dhe performancën e institucionit më të kuptueshëm, më të shpejtë për t’u gjetur dhe më pranë qytetarit.

Nisma vjen në një kohë kur përdorimi i Inteligjencës Artificiale po shtrihet gjithnjë e më shumë në administratën publike, me potencial për të ndryshuar mënyrën se si institucionet ofrojnë informacion dhe komunikojnë me qytetarët.
Bashkia Elbasan bëhet kështu pjesë e një qasjeje të re ku teknologjia synon të mbështesë transparencën, aksesin në informacion dhe një komunikim më të drejtpërdrejtë me komunitetin.


