ELBASAN, 24 shtator 2026 /Albania Express News/- Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” e nis vitin akademik 2026–2027 me një orientim të ri strategjik, ku në qendër të vëmendjes vendoset lidhja më e drejtpërdrejtë mes universitetit, studentit dhe profesionit.
Përmes një qasjeje të re, institucioni synon që studentët të mos e përjetojnë universitetin vetëm si hapësirë akademike dhe auditorë leksionesh, por si një mjedis ku ndërtohen gradualisht njohuritë, kompetencat dhe eksperienca që u nevojiten për tregun e punës.
Në fokus të këtij orientimi është “Pakti UNIEL për Praktikën dhe Punësimin”, një angazhim që synon të zgjerojë bashkëpunimin e universitetit me biznesin, institucionet publike, shkollat, spitalet, kompanitë dhe komunitetin.
Rektorja e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, prof. dr. Elvira Fetahu, e konsideron këtë një nga drejtimet kryesore të zhvillimit të institucionit për vitin e ri akademik.
“Duam që studentët të mos e takojnë profesionin vetëm pasi të diplomohen. Ata duhet të fillojnë ta njohin, ta provojnë dhe të krijojnë lidhjet e tyre me të që gjatë universitetit. Po kalojmë nga modeli klasik universitet-auditor drejt një universiteti të hapur, ku universiteti, biznesi, institucionet dhe komuniteti punojnë së bashku”, shprehet Prof. Dr. Fetahu.
Sipas rektores, ky partneritet nuk duhet të jetë i njëjtë për çdo program studimi, por të përshtatet me natyrën dhe nevojat konkrete të profesioneve.
Për studentët e mësuesisë, partnerë të rëndësishëm janë shkollat; për infermierinë, institucionet shëndetësore dhe spitalet; për teknologjinë e informacionit, kompanitë dhe laboratorët; ndërsa për ekonominë, bizneset, bankat dhe institucionet. Për shkencat humane dhe sociale, bashkëpunimi shtrihet te institucionet dhe komuniteti.

Nga diploma te kompetenca
Një nga sfidat kryesore të arsimit të lartë është kalimi nga përgatitja teorike drejt aftësive konkrete profesionale.
Për drejtuesen e UNIEL, diploma duhet të shoqërohet me eksperiencë dhe kompetenca që studenti mund t’i ndërtojë që gjatë viteve të studimit.
“Universiteti duhet t’i japë studentit dije, por sot kjo nuk mjafton. Duhet t’i japë edhe eksperiencë, kompetenca dhe mundësinë për ta provuar profesionin përpara se të marrë diplomën”, thekson rektorja.
Ky vizion përfshin praktikat profesionale, mentorimin, projektet reale, laboratorët, kërkimin shkencor dhe bashkëpunimin me aktorët e tregut të punës.
Infermieria dhe teknologjia ndër programet më të kërkuara
Raundi i parë i regjistrimeve për vitin akademik 2026–2027 është mbyllur me interes të qëndrueshëm për programet e studimit të Universitetit të Elbasanit.
Ndër programet më të preferuara janë Infermieria e Përgjithshme, Edukimi Fizik dhe Sportet, Financë-Kontabilitet, Teknologjitë e Informacionit dhe Informatika Ekonomike.
Preferencat e maturantëve tregojnë interes për fusha si shëndetësia, sporti, ekonomia dhe teknologjia.
Një vend të veçantë në ofertën akademike zënë edhe programet profesionale dyvjeçare, të cilat synojnë një formim më të orientuar drejt praktikës dhe integrimit në tregun e punës.
Mes programeve që kanë tërhequr interes janë Teknik Mjedisi, Edukator 0–3 vjeç dhe Sekretari i Specializuar.

Mësuesia, sfidë për universitetin
Një tjetër çështje e rëndësishme e ngritur nga drejtuesja e UNIEL është rënia e preferencës për programet e mësuesisë, krahasuar me disa prej degëve të tjera.
Prof. dr. Fetahu e konsideron këtë një sinjal që kërkon reflektim dhe ndryshim edhe nga universiteti.
“Mësuesi mbetet një nga profesionet më të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Por universitetet nuk duhet t’i përgjigjen kësaj sfide thjesht duke pritur më shumë aplikantë. Duhet të ndryshojmë edhe ne”, shprehet ajo.
Në këtë kuadër, fakulteteve u është kërkuar rishikimi i ofertës akademike dhe zhvillimi i profileve të reja në edukim, të lidhura me Inteligjencën Artificiale dhe teknologjinë në mësimdhënie, edukimin gjithëpërfshirës, STEM-in, këshillimin dhe lidershipin në arsim.
Synimi është që Universiteti i Elbasanit të mos jetë vetëm institucioni ku përgatiten mësuesit e rinj, por edhe një qendër ku mësuesit rikthehen gjatë karrierës për kualifikim, përditësim dhe specializim.
“Elbasani ka një traditë të madhe në formimin e mësuesve. Ne nuk duam vetëm ta ruajmë këtë traditë; duam ta transformojmë atë për shkollën e së ardhmes”, thotë Fetahu.
Në këtë drejtim, Universiteti i Elbasanit ka organizuar këtë vit edhe Shkollën Verore për mësuesit e diasporës, duke zgjeruar rolin e universitetit në zhvillimin profesional të komunitetit arsimor.

Ndërkombëtarizimi dhe kërkimi shkencor
Përveç lidhjes me tregun e punës, një tjetër prioritet strategjik për UNIEL mbetet ndërkombëtarizimi dhe forcimi i kërkimit shkencor.
Universiteti ka zgjeruar pjesëmarrjen në rrjete universitare rajonale dhe evropiane, ndërsa në vitin 2028 rektorja prof. dr. Elvira Fetahu pritet të marrë drejtimin e Balkan Universities Association (BUA), rrjet që përfshin 120 universitete.
UNIEL është bërë gjithashtu pjesë e Forumit të Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, ndërsa bashkëpunimet ndërinstitucionale janë zgjeruar përmes marrëveshjeve të reja.
Në kuadër të projekteve të financuara nga Komisioni Evropian, universiteti aktualisht po zbaton 17 projekte ndërkombëtare, ndërsa stafi akademik dhe doktorantët janë përfshirë këtë vit në nëntë projekte kërkimore të financuara nga AKKSHI dhe Ministria e Arsimit.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është financimi i drejtpërdrejtë nga universiteti i projekteve të propozuara nga personeli akademik, përmes të ardhurave të krijuara nga kërkimi shkencor dhe me përfshirjen e studentëve.
“Duam që universiteti të mos jetë vetëm vendi ku transmetohet dije, por edhe vendi ku prodhohet dije”, nënvizon rektorja.
Mesazhi për maturantët: mendoni për profesionin, jo vetëm për degën
Në prag të fazës së dytë të aplikimeve universitare, Universiteti i Elbasanit u drejtohet maturantëve me një mesazh që lidhet drejtpërdrejt me filozofinë e re të institucionit.
Zgjedhja e universitetit dhe programit të studimit, sipas UNIEL, duhet të shihet si hapi i parë drejt ndërtimit të një profesioni dhe karriere.
“Maturantët nuk duhet të zgjedhin thjesht një degë studimi, por të mendojnë për profesionin dhe të ardhmen që duan të ndërtojnë”, shprehet prof. dr. Elvira Fetahu.
Kjo qasje përmbledh edhe filozofinë e re të Universitetit të Elbasanit për vitin akademik 2026–2027: shkurtimin e distancës mes auditorit dhe profesionit, përmes praktikës, laboratorëve, teknologjisë, kërkimit shkencor, partneriteteve institucionale dhe eksperiencave ndërkombëtare.
“Ky është orientimi ynë për vitin akademik 2026–2027: nga auditori te profesioni dhe nga diploma te kompetenca”, përfundon rektorja e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, prof. dr. Elvira Fetahu.


