LIBRAZHD, 23 shtator 2026 /Albania Express News/- Këshilli Bashkiak Librazhd, në bashkëpunim me Kryetarin e Bashkisë, do të zhvillojë konsultime publike me qytetarët në kuadër të përgatitjes së Projektbuxhetit 2027, Buxhetit Afatmesëm 2027–2029 dhe Paketës Fiskale për vitin 2027.
Konsultimet synojnë të krijojnë një hapësirë dialogu me komunitetin për evidentimin e nevojave dhe prioriteteve të zonave të ndryshme të bashkisë, duke i dhënë mundësi qytetarëve dhe grupeve të interesit të paraqesin propozimet dhe shqetësimet e tyre.
Sipas njoftimit të Bashkisë Librazhd, konsultimet do të zhvillohen sipas këtij kalendari:
- Polis – 24 shtator 2026, ora 10:00
- Hotolisht – 24 shtator 2026, ora 13:00
- Qendër – 24 shtator 2026, ora 15:00
- Orenjë – 25 shtator 2026, ora 11:00
- Lunik – 25 shtator 2026, ora 13:00
- Steblevë – 25 shtator 2026, ora 15:00
- Qyteti Librazhd – 25 shtator 2026, ora 17:00, në palestrën e Gjimnazit “Ibrahim Muça”.
Në këto takime janë ftuar të marrin pjesë qytetarët, kryetarët e fshatrave, përfaqësues të biznesit, mësues, grupet e interesit dhe të gjithë të interesuarit për zhvillimin e territorit.
Bashkia Librazhd vlerëson se konsultimi me komunitetin është një pjesë e rëndësishme e procesit të planifikimit dhe vendimmarrjes vendore, ndërsa propozimet e qytetarëve synohet të merren në konsideratë gjatë përcaktimit të prioriteteve për vitin 2027.

