TIRANË ,23 shtator 2026 /Albania Express News/-Eurodeputetja Terry Reintke, bashkëkryetare e grupit të të Gjelbërve/EFA dhe anëtare e Parlamentit Evropian, zhvilloi sot një konferencë për shtyp në “Shtëpinë e Evropës” në Tiranë, ku diskutoi mbi zhvillimet politike në Shqipëri, bashkëpunimin rajonal dhe procesin e integrimit evropian të vendit.
Reintke u ndal te protestat që vijojnë në Shqipëri kundër projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit, si dhe te kërkesat për më shumë transparencë dhe llogaridhënie në proceset vendimmarrëse.
“Kam pasur mundësinë të shoh protestat që vijojnë ende dhe mund t’ju them se ato kanë tërhequr vëmendje të konsiderueshme në të gjithë Evropën, përfshirë Parlamentin Evropian. Qytetarët shqiptarë po kundërshtojnë projektin e planifikuar në këtë zonë, por gjithashtu kërkojnë më shumë llogaridhënie në proces”, deklaroi ajo.
Eurodeputetja bëri të ditur se gjatë vizitës në Shqipëri zhvilloi takime edhe me përfaqësues të disa organizatave joqeveritare, me qëllim njohjen më të drejtpërdrejtë me situatën dhe zhvillimet e fundit në vend.
Ajo theksoi se Parlamenti Evropian, përfshirë grupin e të Gjelbërve/EFA, e ka ndjekur nga afër situatën në Shqipëri gjatë muajve të fundit.
“Qëndrimet dhe kërkesat tona janë ende shumë të qarta. Në qershor kemi miratuar një raport ku kërkojmë një moratorium për të gjitha planet zhvillimore në zonat e mbrojtura”, u shpreh Reintke.
Duke iu referuar nisjes së punimeve në muajt maj dhe qershor, ajo tha se janë ngritur pikëpyetje të rëndësishme lidhur me respektimin e legjislacionit shqiptar dhe standardeve evropiane të mbrojtjes së mjedisit.
“Mënyra se si ndërtimi nisi në maj dhe qershor nuk është në përputhje me ligjet shqiptare, por as me legjislacionin mjedisor në nivel evropian dhe kjo ndikon në procesin e anëtarësimit”, deklaroi eurodeputetja.
Reintke kërkoi gjithashtu që kuadri ligjor shqiptar për zonat e mbrojtura të përshtatet me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
“Kërkesa është e qartë: të shfuqizohet ligji për zonat e mbrojtura dhe të harmonizohet me legjislacionin mjedisor të BE-së. Kjo është një kërkesë afatgjatë që vjen si nga Komisioni Evropian, ashtu edhe nga Parlamenti Evropian dhe do të jetë një aspekt kyç kur bëhet fjalë për negociatat në kapitullin 27”, u shpreh ajo.
Sipas eurodeputetes, çështja nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e mjedisit, por edhe me standardet demokratike, pjesëmarrjen publike në projektet e mëdha infrastrukturore dhe respektimin e shtetit të së drejtës.
“Kjo është një çështje më e gjerë sesa mbrojtja mjedisore. Është bërë çështje e garantimit të standardeve demokratike dhe pjesëmarrjes publike në projektet e mëdha infrastrukturore. Do të donim të shihnim një përgjigje shumë më të qartë nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos, sepse kjo çështje lidhet me standardin demokratik, pjesëmarrjen publike dhe shtetin e së drejtës”, deklaroi Reintke.
Ajo sqaroi se qëndrimi i grupit të të Gjelbërve dhe i një pjese të gjerë të Parlamentit Evropian nuk është kundër zhvillimit të infrastrukturës turistike në Shqipëri.
“Nuk po flasim që të mos ketë ndërtime të infrastrukturës turistike në Shqipëri. Ky është një sektor në rritje i ekonomisë shqiptare dhe, duke qenë se Shqipëria është një vend fantastik, ai duhet të zhvillohet. Por kjo duhet të bëhet sipas standardeve mjedisore, ligjeve dhe procedurave demokratike, si dhe standardeve kundër korrupsionit”, u shpreh eurodeputetja.
Reintke theksoi mbështetjen e Parlamentit Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se ky proces duhet të shoqërohet me respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe përmbushjen e të gjitha standardeve përkatëse.
“Dua ta bëj të qartë që Grupi i të Gjelbërve në Parlamentin Europian dhe një shumicë e madh e Parlamentit Europian duam patjetër që Shqipëria të jetë pjesë e BE sa më shpejt, por duke garantuar në proces standardet mjedisore dhe demokratike”, deklaroi ajo.
Eurodeputetja shtoi se negociatat e anëtarësimit janë në vijim dhe se Parlamenti Evropian do të vijojë të mbështesë përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, duke kërkuar njëkohësisht përmbushjen e dispozitave dhe standardeve përkatëse.
“Qytetarët shqiptarë meritojnë që në procesin e anëtarësimit në BE të drejta e tyre të mbrohen dhe negociata janë në vijim dhe do kërkojmë përparimin e Shqipërisë drejt BE, ndërkohë që kërkojmë përmbushjen e të gjitha dispozitave përkatëse”, tha ajo.

