Arbjan Mazniku: Dëgjesa me 3 500 qytetarë për Reformën Territoriale, mundësi që bashkitë të përfitojnë më shumë nga fondet e BE-së

TIRANË ,23 shtator 2026 /Albania Express News/-Reforma administrativo-territoriale dhe ndikimi i saj në ofrimin e shërbimeve për qytetarët ishte në fokus të prezantimit të bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, në Komisionin për Çështjet Ligjore.

Mazniku e cilësoi reformën një çështje që prek drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, duke nisur nga pastrimi, ndriçimi dhe mirëmbajtja e rrugëve, deri te shërbimet në shkolla dhe furnizimi me ujë.

Gjatë prezantimit, ai solli në vëmendje punën e zhvilluar për rreth nëntë muaj nga Komisioni i Posaçëm, i cili u ngrit me përfaqësim të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës, por me përpjekjet e vazhdueshme të opozitës për të penguar dhe bllokuar punën e komisionit.

Sipas Maznikut, Komisioni zhvilloi 23 mbledhje dhe seanca dëgjimore, ndërsa në konsultimet publike në 11 qarqe morën pjesë mbi 3,500 qytetarë. Në proces u administruan gjithashtu 88 kërkesa, peticione dhe propozime.

“U zhvilluan 11 dëgjesa publike nga periudha 22 prill deri më 25 qershor. 56 bashki u referuan në dëgjesat e qarqeve, 5 seanca dëgjimore në Kuvend me kryetarët e bashkive dhe gjithashtu janë administruar 88 kërkesa, peticione, propozime nga Komisioni”, bëri të ditur Mazniku.

Sipas tij, Kuvendi e krijoi Komisionin me një vendim të datës 27 tetor të vitit 2005, dhe në 30 tetor, vetëm tre ditë më pas, mazhoranca emëroi 8 anëtarët e saj.

“Opozita i emëroi anëtarët e saj më 6 nëntor, pra 15 ditë pas krijimit të Komisionit solli emrat e anëtarëve. Më datën 11 nëntor, vetëm katër ditë pas saj, u thirr mbledhja e parë e konstituimit të Komisionit, në të cilën opozita nuk erdhi. Gjashtë anëtarë të Partisë Demokratike nuk morën pjesë. Më pas, vetëm më 27 nëntor u realizua takimi i parë, ku u diskutua për kalendarin e punës, numrin e ekspertëve dhe sekretariatin. Nga ai moment opozita nuk mori pjesë në mënyrë sistematike për pothuajse tre muaj në Komision. Më 22 janar mbledhja nuk u zhvillua sepse mungoi kuorumi. Më datën 2 shkurt mbledhja nuk u zhvillua sepse mungoi kuorumi dhe vetëm më 11 shkurt, pasi u propozua nga ana e anëtarëve të Partisë Socialiste në seancë plenare kërkesa për ndryshimin e përbërjes së strukturës së Komisionit, opozita vendosi të marrë pjesë”, kujtoi Mazniku.

Sipas tij, 112 ditë kaluan nga nga krijimi i komisionit deri te mbledhja ku u miratua kalendari. Mazniku theksoi se kjo ishte koha që humbi komisioni nga mungesa sistematike e opozitës.

Mazniku informoi se janë zhvilluar dëgjesa publike në 11 bashki dhe me 3500 qytetarë, ku kanë qenë anëtarë të Komisionit nga ana e mazhorancës dhe opozitës.

“Është e rëndësishme të thuhet që në këtë moment ishim përpara një vendimi kyç: ose Komisioni të mbyllte funksionin e tij pa asnjë produkt, çka në fakt ishte puna për sa kohë që e kishim dakordësuar një Komision me paritet dhe me bashkëkryesi. Për fat të keq, ai ishte produkti i Komisionit. Pra, Komisioni është mbyllur pa produkt. Por ne, një grup deputetësh socialistë, anëtarë të Komisionit, në respekt të punës që u bë ishim përpara dy zgjedhjesh. Njëra ishte që kjo punë të mos shkonte e gjitha dëm dhe tjetra ishte që të bënim në këtë moment një propozim specifikisht për pjesën e reformës territoriale, ndarjes së hartës, e cila lidhej ngushtësisht edhe me elementet e ciklit elektoral”, shtoi Mazniku.

Po ashtu, Mazniku theksoi se për tre elementët e tjerë që kanë të bëjnë me funksionet dhe shërbimet, me financat vendore dhe rajonet, do të merrej një vit tjetër kohë për të punuar si Parlament, bashkë me qeverinë, për të detajuar në mënyrë specifike funksionet bashkiake, financat vendore dhe rajonet.

Një pjesë e rëndësishme e prezantimit iu kushtua gjetjeve të raportit të ekspertëve dhe rezultateve të reformës së vitit 2014.

Mazniku theksoi se Shqipëria kaloi nga 373 njësi vendore në 61 bashki, duke e cilësuar këtë një konsolidim prej 84 për qind.

Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, të ardhurat vendore për banorë janë rritur nga 2,684 në 13,292 lekë, ndërsa detyrimet e prapambetura janë ulur me 76 për qind.

Shpenzimet vendore janë rritur nga 34 miliardë në 92 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore janë rritur nga 11 në 40 miliardë lekë.

“Pjesa më e madhe e elementëve që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve, në fakt lidhen me pushtetin vendor”, tha Mazniku, duke nënvizuar se çdo ndryshim në mënyrën e organizimit të pushtetit vendor duhet të lidhet me objektivin për shërbime më të mira për qytetarët.

Në vijim të prezantimit, Mazniku shpjegoi edhe rrugëtimin e propozuar për reformën. Sipas tij, puna e Komisionit dhe e ekspertëve ka evidentuar nevojën për të trajtuar në mënyrë të veçantë hartën territoriale, ndërsa për funksionet dhe shërbimet, financat vendore dhe rajonet propozohet vijimi i punës për një periudhë tjetër, me qëllim detajimin e tyre.

Mazniku argumentoi se reforma duhet të shihet edhe në funksion të procesit të integrimit europian dhe të mundësisë që Shqipëria të përfitojë më shumë nga instrumentet dhe fondet që lidhen me këtë proces.

“Jo e nisur nga politika, jo e nisur nga qëllimet politike, por te tentativa për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët dhe për të përfituar maksimumin e mundshëm si Shqipëri nga hapat e integrimit europian”, u shpreh ai.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Ndryshime në drejtimin e policisë në disa qarqe/ Lëvizje në Berat, Sarandë, Dibër dhe Tropojë

TIRANË ,23 shtator 2026 /Albania Express News/-Drejtoria e Përgjithshme...

Eurodeputetja Reintke: Në PE duam që Shqipëria të jetë pjesë e BE sa më shpejt, garantim i standardeve mjedisore e demokratike

TIRANË ,23 shtator 2026 /Albania Express News/-Eurodeputetja Terry Reintke,...

Forcat e Armatosura shqiptare testojnë gatishmërinë luftarake sipas standardeve të NATO-s

TIRANË, 23 shtator 2026 /Albania Express News/- Grupi Batalioni...