Muaji shtator vjen ndryshe në Përmet. I mbushur me aktivitete kulturore,sportive dhe sociale, ky fillim vjeshte reflekton një vizion të qartë zhvillimi dhe bashkëjetese komunitare, të cilin e mishëron puna dhe përkushtimi i Kryetares së Bashkisë Përmet, znj. Alma Hoxha.
Me një qasje që ndërthur vlerat tradicionale përmetare me ritmet bashkëkohore të jetës qytetare, znj.Hoxha e ka kthyer shtatorin në një muaj të veçantë për qytetin, ku çdo javë sjell një ngjarje që frymëzon, angazhon dhe bashkon komunitetin.
“Shtatori është një ftesë për të qenë më afër qytetit tonë, natyrës sonë dhe njëri-tjetrit. Përmeti nuk është vetëm një vend i bukur për t’u vizituar, është një vend që duhet përjetuar çdo ditë”, shprehet Kryetarja Hoxha në urimin e saj për qytetarët në rrjetin e saj facebook.
Bashkia Përmet ka përgatitur një kalendar të pasur aktivitetesh që shtrihen gjatë gjithë muajit,duke prekur histori, art,sport dhe çështje sociale:
• 13 Shtator, Dita e Çlirimit të Përmetit, një festë historike me rëndësi të veçantë për identitetin e qytetit.
• 16 Shtator, Kalitemi në Natyrë, një aktivitet sportiv në shërbim të shëndetit dhe jetës aktive.
• 19 Shtator, Muzikë dhe Poezi në Dritën e Yjeve,një mbrëmje artistike që ndërthur fjalën poetike me tingullin muzikor, nën qiellin përmetar.
• 22 Shtator, Dita pa Makina, një nismë për ndërgjegjësim mjedisor dhe promovimin e jetesës së gjelbër.
• 29 Shtator, Dita e Gjysheve Tona, me ekspozita, këngë dhe valle, si një mënyrë për të nderuar brezat që mbajnë gjallë trashëgiminë shpirtërore të qytetit.
• 30 Shtator, Shfaqja teatrale “Shoku im i ri”, një mesazh për të rinjtë, për miqësinë dhe ndërtimin e bashkëjetesës qytetare.
Përmes këtij kalendari të larmishëm, Bashkia Përmet afirmon rolin e saj jo vetëm si një institucion shërbimi, por si një strukturë që krijon jetë kulturore, ruan traditën dhe nxit përfshirjen aktive të qytetarëve në zhvillimin e përbashkët.
Roli i zj.Alma Hoxha në drejtimin e këtij vizioni është i dukshëm, një qasje e hapur ndaj komunitetit, një vëmendje e veçantë ndaj trashëgimisë dhe një angazhim i pandërprerë për të kthyer Përmetin në modelin e qytetit mikpritës, të gjallë dhe të qëndrueshëm.
albaniaexpress.al