Spektakël në “Selman Stërmasi”, Tirana dhe AF Elbasani ndajnë pikët në një barazim me katër gola

TIRANË, 20 shtator 2026 /Albania Express News/- Tirana dhe AF Elbasani kanë ndarë nga një pikë në javën e pestë të Kategorisë Superiore, pas një përballjeje spektakolare që u mbyll me rezultatin 2-2 në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Ndeshja u zhvillua pa praninë e tifozëve, pasi Tirana nuk arriti të konvertonte në kohë me gjobë pjesën e mbetur të dënimit, duke bërë që një prej sfidave më të rëndësishme të javës të luhej në një atmosferë të pazakontë.

AF Elbasani e nisi më mirë takimin dhe arriti të kalojë në avantazh në minutën e 23-të. Nikaj depërtoi në zonë dhe pasoi në qendër, ndërsa Ndong, në përpjekje për të larguar topin, e devijoi atë drejt portës së tij, duke i dhënë avantazhin skuadrës elbasanase.

Tirana reagoi shpejt dhe vetëm shtatë minuta më vonë riktheu ekuilibrin. Kish harkoi nga e djathta dhe Redon Xhixha, i pozicionuar mirë në zonë, goditi me kokë duke mposhtur portierin Aleksovski për 1-1.

Por AF Elbasani nuk u tërhoq. Në minutën e 37-të, Mazari shmangu pozicionin jashtë loje, kaloi edhe Bekajn dhe nga krahu i majtë dërgoi topin në rrjetë, duke rikthyer avantazhin e miqve.

Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-2 në favor të AF Elbasanit.

Në fraksionin e dytë, Tirana u hodh në kërkim të barazimit dhe e gjeti atë në minutën e 54-t. Një aksion i bukur nga krahu i djathtë përfundoi me pasimin e Ilievskit për Redon Xhixhën, i cili nuk gaboi përballë portës dhe shënoi golin e dytë personal, duke vendosur shifrat në 2-2.

Pas barazimit, bardheblutë patën disa mundësi për të përmbysur rezultatin. Rasti më i mirë erdhi në minutën e 78-të, kur Xhixha ishte shumë pranë tripletës, por goditja e tij nga kufijtë e zonës u ndal nga shtylla.

Edhe AF Elbasani pati mundësitë e veta në minutat e fundit të takimit, por asnjëra skuadër nuk arriti të gjente golin e fitores.

Në fund, Tirana dhe AF Elbasani ndanë nga një pikë, në një ndeshje me ritëm, raste dhe katër gola.

Tirana 2-2 AF Elbasani

⚽ 30’, 54’ Xhixha

⚽ 23’ Ndong (autogol), 37’ Mazari

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME