“Magjia e një institucioni arsimor”: Botim special për 75-vjetorin e Universitetit Bujqësor të Tiranës

TIRANË, 20 shtator 2026 /Albania Express News/ – Në kuadër të 75-vjetorit të Universitetit Bujqësor të Tiranës, autori Spasse Thanasi i është rikthyer kujtimeve, njerëzve dhe atmosferës së jetës universitare përmes një botimi të veçantë, kushtuar institucionit që, siç shprehet ai, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën e tij.

Bëhet fjalë për vëllimin e katërt, me titull “Universiteti i skalitur në gur!”, një libër që ndërthur kujtimet personale, përjetimet studentore dhe portretet e pedagogëve, duke sjellë një dëshmi artistike e nostalgjike për 75 vite histori universitare.

“Kam në duar dhe e përkëdhel si fëmijën e sapolindur librin tim”, shprehet Spasse Thanasi, duke e konsideruar këtë vepër një botim special për universitetin e tij dhe për memorien artistike që ka ruajtur gjatë dekadave.

Në rrëfimin e tij, autori e përshkruan Universitetin Bujqësor të Tiranës si një hapësirë ku dija, arkitektura, gjelbërimi dhe jeta studentore janë ndërthurur në mënyrë të veçantë.

Ai sjell në kujtesë edhe historinë e vështirë të institucionit, veçanërisht dëmet e shkaktuara nga zjarri i vitit 1997, që prekën edhe bibliotekën shkencore dhe arkivat e saj, përpara procesit të rindërtimit dhe rimëkëmbjes së universitetit.

Sipas autorit, çdo godinë, hapësirë dhe pamje e kampusit mbart një histori më vete dhe lidhet me kujtimet e brezave të studentëve që kanë kaluar aty.

Por lidhja e Thanasit me Universitetin Bujqësor është edhe personale. Ai ka qenë student ekselent në auditoret e këtij universiteti, drejtues i Qendrës së Zërit në Shtëpinë e Studentit, si dhe sekretar i kolegjiumit të gazetës “Studenti i Bujqësisë”, me kryeredaktor Shefqet Meko.

Në faqet e librit rikthehen kujtime nga jeta studentore, miqësitë, aktivitetet, ngjarjet dhe përjetimet e një brezi të tërë të rinjsh të ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë.

Një vend të veçantë në rrëfimin e tij zënë pedagogët, të cilët autori i cilëson si “yje të dijes bujqësore shqiptare”, duke shprehur mirënjohjen për kontributin e tyre në formimin profesional dhe njerëzor të studentëve.

“Kam ndjerë dorën e ngrohtë të pedagogëve të mi të talentuar, të cilët më dhanë në dorë çelësin e suksesit në jetë. U jam mirënjohës përjetë në çdo drejtim të jetës time”, shprehet Thanasi.

Për autorin, ky botim është më shumë se një libër kujtimesh. Ai është një mënyrë për t’i ruajtur dhe përcjellë brezave historinë njerëzore të universitetit, përmes kujtimeve të atyre që e kanë përjetuar nga afër jetën studentore.

“Universiteti i skalitur në gur!” vjen kështu si një homazh për një institucion 75-vjeçar, por edhe si një ftesë për ish-studentët, pedagogët dhe bashkëkohësit që të rikthehen përmes faqeve të librit te vitet e rinisë, dijes dhe ëndrrave.

“Ju pres, miq të dashur, bashkëkohës të mi, ta merrni e ta shfletoni këtë libër jubilar, sepse aty do të gjeni veten tuaj, vitet tuaja të dijes dhe kohën studentore”, përfundon autori Spasse Thanasi.

Një dëshmi letrare dhe kujtesore që i bashkohet historisë së 75 viteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke sjellë në vëmendje jo vetëm institucionin, por mbi të gjitha njerëzit dhe brezat që kanë ndërtuar historinë e tij.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Tirana–AF Elbasani, supersfida e javës së pestë në “Selman Stërmasi”, publikohen formacionet zyrtare

TIRANË, 20 shtator 2026 /Albania Express News/ – Tirana...

Rama: “Paketa e Maleve”, mënyra më e mirë për zgjerimin e agroturizmeve

TIRANË ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama...

Mbështetje edhe nga politika dhe institucionet vendore për Sopotin , Balla ,Mazniku , Salla ,Disha , Muzhaqi e Komici zbresin...

LIBRAZHD ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Atmosfera sportive në...