FIER, 19 shtator 2026 /Albania Express News/ – Ish-drejtorët e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Fier, Bardhyl Kapaj dhe Ertis Shehu, specialisti jurist Pirro Çela, si dhe Kastriot Hyska, i dyshuar si përfitues i pronave, kanë dalë këtë të shtunë para Gjykatës së Fierit, ku pritet të njihen me masat e sigurisë të vendosura ndaj tyre në kuadër të operacionit të koduar “Stolen Land”.
Operacioni u finalizua më 16 shtator nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas një hetimi të nisur gjatë vitit 2025 dhe të zhvilluar me metoda proaktive.
Në kuadër të këtij hetimi u ekzekutuan katër masa sigurie “Arrest në burg” për E. Sh. dhe B. K., ish-drejtues të ASHK-së, P. Ç., specialist jurist pranë këtij institucioni, si dhe K. H., i dyshuar si përfitues i pronave.
Sipas autoriteteve, personat nën hetim dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke përdorur funksionet e tyre zyrtare dhe dokumentacion të dyshuar si të falsifikuar për regjistrimin në pronësi të K. H. të sipërfaqeve të mëdha toke.
Nga hetimet dyshohet se skema lidhet me rreth 1.143 hektarë tokë, një sipërfaqe jashtëzakonisht e madhe, e cila në terma krahasues është afërsisht sa 1.600 fusha futbolli standarde.
Në kuadër të operacionit, në bashkëpunim edhe me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Vlorë, janë ekzekutuar masa sigurie personale dhe pasurore ndaj personave nën hetim.
Tashmë është Gjykata e Fierit ajo që do të vlerësojë ligjshmërinë e ndalimeve dhe do të vendosë për vijimin e masave të sigurisë ndaj të dyshuarve.
Prokuroria dhe Policia vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht mënyrën e funksionimit të skemës së dyshuar dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e secilit prej personave nën hetim.
Të gjithë personat e mësipërm prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

