TIRANË ,19 shtator 2026 /Albania Express News/-Historia e Kombëtares italiane ka pasur disa raste të veçanta kur dy vëllezër janë thirrur së bashku në përfaqësuese.

Franco dhe Giuseppe Baresi ishin pjesë e Italisë në Europianin e vitit 1980, të zhvilluar pikërisht në vendin fqinj. Të dy vëllezërit u grumbulluan nga trajneri Enzo Bearzot, por në atë turne nuk patën mundësi të luanin asnjë minutë. Italia e mbylli kompeticionin në vendin e katërt.
Një tjetër kapitull i veçantë erdhi më 15 nëntor 2000. Trajneri Giovanni Trapattoni grumbulloi njëkohësisht Filippo dhe Simone Inzaghi. Madje, dy sulmuesit patën mundësinë të luanin bashkë me fanellën e kaltër për 11 minuta. Simone hyri në minutën e 61-të në vend të Marco Delvecchios, ndërsa Filippo, që e kishte nisur titullar, u zëvendësua nga Alessandro Del Piero në minutën e 72-të.

Tani radha është e familjes Esposito. Francesco Pio Esposito tashmë e ka konsoliduar praninë e tij në Kombëtaren e madhe. Sulmuesi numëron 9 ndeshje dhe 5 gola, ndërsa debutimin e bëri më 5 shtator 2025 ndaj Estonisë, në kualifikueset e Botërorit 2026.

Në krah të tij vjen tani vëllai Sebastiano Esposito, për të cilin kjo është thirrja e parë në Kombëtaren A. Sebastiano ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave dhe me U21 ka regjistruar 13 paraqitje dhe një gol.

Kështu, dy vëllezër të tjerë hyjnë në historinë e Azzurrëve. Nga Baresi te Inzaghi dhe tani Esposito: një tjetër histori familjare që merr jetë me fanellën e Italisë.

