ELBASAN, 18 shtator 2026 /Albania Express News/ – Ekspertiza e mjekëve shqiptarë vijon të përfaqësohet në forumet shkencore europiane. Këtë herë, zëri i mjekësisë nga Elbasani është përcjellë në një konferencë ndërkombëtare të fokusuar në etikën dhe trajtimin e demencës.
Dr.Sc Bujar Cakani, Shef i Shërbimit të Neurologjisë në Spitalin Rajonal Elbasan, mori pjesë në Final EDEM Conference – COST Action Ethics in Dementia (EDEM) CA21137, ku referoi mbi temën “Diagnostikimi i hershëm i demencave”.
Referimi i mjekut neurolog nga Elbasani u përqendrua në një prej çështjeve më të rëndësishme të kujdesit ndaj personave me demencë: identifikimin sa më të hershëm të problematikave njohëse dhe rëndësinë e ndërhyrjes në kohë.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet shkencor ndërkombëtar përbën një mundësi për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave profesionale me specialistë e studiues nga vende të ndryshme europiane, duke sjellë njëkohësisht kontributin e mjekësisë shqiptare në diskutimet bashkëkohore mbi demencën.
Diagnostikimi i hershëm është veçanërisht i rëndësishëm për pacientët dhe familjarët e tyre, pasi mundëson orientimin më të shpejtë drejt vlerësimit specialistik, planifikimit të kujdesit dhe mbështetjes së nevojshme.
Pjesëmarrja e Dr. Sc. Cakanit në këtë forum europian pasqyron gjithashtu angazhimin e specialistëve të Spitalit Rajonal Elbasan për të qenë pjesë e zhvillimeve dhe diskutimeve profesionale në nivel ndërkombëtar.
Spitali Rajonal Elbasan vijon të përfaqësojë komunitetin mjekësor të qytetit në aktivitete shkencore, duke kontribuar në shkëmbimin e eksperiencave dhe në promovimin e praktikave bashkëkohore në shërbimin shëndetësor.

