HAGË, 17 shtator 2026 /Albania Express News/- Një ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku katër ish-drejtues të UÇK-së u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim, ka reaguar për herë të parë publikisht ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Deklarata e Thaçit është publikuar nga avokati i tij përmes rrjetit social X, ku bëhet e ditur se mbrojtja do të apelojë vendimin pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Në deklaratë, Thaçi falënderon qytetarët e Kosovës dhe komunitetin ndërkombëtar për mbështetjen e dhënë ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që të reagojnë në mënyrë paqësore ndaj vendimit.
Mbrojtja pretendon se gjatë procesit gjyqësor ka pasur gabime të rëndësishme në ligj dhe në vlerësimin e fakteve, të cilat, sipas saj, kanë cenuar drejtësinë e procesit.
Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga avokatët lidhet me mënyrën e ndërhyrjes së anëtarëve të Panelit të Gjykimit gjatë seancave. Sipas mbrojtjes, pyetjet e drejtpërdrejta të gjyqtarëve kanë qenë të gjera dhe kanë krijuar, sipas tyre, një perceptim që nuk përputhet me kërkesën për paanshmëri.
Mbrojtja kundërshton gjithashtu gjetjet e gjykatës lidhur me përgjegjësinë penale të Thaçit për disa prej veprave për të cilat është shpallur fajtor.
Në mënyrë të veçantë, avokatët kanë ngritur pretendime lidhur me përfundimin e Panelit të Gjykimit për përfshirjen e Thaçit në vrasjen e Behajdin Allaqit. Sipas mbrojtjes, provat që lidhen me këtë rast kanë qenë të mbajtura konfidenciale gjatë procesit dhe nuk janë bërë pjesë e shqyrtimit publik.
“Z. Thaçi mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje”, thuhet në deklaratën e publikuar nga avokati i tij.
Mbrojtja argumenton se gjetjet e Panelit të Gjykimit për fajësinë “përtej dyshimit të arsyeshëm” janë mbështetur, sipas saj, në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara.
Avokatët e ish-presidentit të Kosovës kanë bërë të ditur se do t’i drejtohen Panelit të Apelit duke kundërshtuar vendimin mbi bazën e pretendimeve për shkelje të të drejtave themelore për një gjykim të drejtë, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës.
Në deklaratë theksohet se njoftimi zyrtar i apelit do të dorëzohet për të kundërshtuar ato që mbrojtja i konsideron gabime faktike, ligjore dhe procedurale.
Reagimi i Hashim Thaçit vjen një ditë pas vendimit të shkallës së parë në Hagë. Procesi tashmë hyn në fazën e ankimit, ndërsa vendimi i shkallës së parë nuk përbën përfundimin e procedurës gjyqësore.

