TIRANË, 17 shtator 2026 /Albania Express News/- Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, ka prezantuar në Kuvend projektligjin që lidhet me vijimin e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Këshillin Ndërkombëtar të Ullirit (COI), organizatë në të cilën vendi ynë është anëtar prej vitit 2009.
Në fjalën e tij para deputetëve, Salla u ndal te rëndësia e ullishtarisë dhe prodhimit të vajit të ullirit për bujqësinë shqiptare, duke e cilësuar këtë sektor si një aktivitet tradicional në shumë zona të vendit dhe një burim të rëndësishëm të ardhurash për fermerët dhe familjet që merren me kultivimin, përpunimin dhe tregtimin e ullirit.
Sipas ministrit, gjatë viteve të fundit sektori ka njohur zhvillim të qëndrueshëm, ndërsa investimet janë orientuar drejt përmirësimit të teknologjisë së përpunimit, kushteve të ruajtjes dhe prodhimit, si dhe rritjes së cilësisë së vajit të ullirit.
“Krahas rritjes së prodhimit, gjithnjë e më shumë vëmendja po drejtohet te cilësia, standardizimi dhe krijimi i mundësive më të mira për tregtimin e produkteve shqiptare”, deklaroi ministri Salla.
Salla: COI ka rëndësi të veçantë për sektorin shqiptar
Ministri i Bujqësisë vuri në dukje rëndësinë që ka anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin Ndërkombëtar të Ullirit.
COI është organizata ndërkombëtare e specializuar për vajin e ullirit dhe ullinjtë e tavolinës dhe, sipas ministrit, luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e standardeve ndërkombëtare të cilësisë dhe tregtimit, zhvillimin e metodave të analizimit dhe kontrollit, si dhe shkëmbimin e informacionit teknik dhe ekonomik ndërmjet vendeve anëtare.
Shqipëria është anëtare e Këshillit Ndërkombëtar të Ullirit prej vitit 2009, ndërsa në Marrëveshjen Ndërkombëtare për Vajin e Ullirit dhe Ullinjtë e Tavolinës të vitit 2015 ka aderuar përmes ligjit nr. 112/2017.
Salla sqaroi se projektligji i paraqitur për miratim nuk krijon një angazhim të ri ndërkombëtar për Shqipërinë dhe nuk ndryshon thelbin e marrëdhënies së vendit me këtë organizatë.
“Ai ka një qëllim të qartë dhe konkret, pranimin e vendimit të Këshillit të Anëtarëve të COI-së për ndryshimin e nenit 36 të Marrëveshjes, i cili rregullon kohëzgjatjen dhe vijimësinë e saj”, u shpreh ministri.
Marrëveshja do të vijojë me periudha deri në pesë vjet
Sipas ndryshimit të miratuar më 24 qershor 2024, Marrëveshja do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2026, duke parashikuar mundësinë e zgjatjes së saj për periudha të njëpasnjëshme, ku secila periudhë nuk mund të jetë më e gjatë se pesë vjet.
Salla theksoi se miratimi i projektligjit do të sigurojë vazhdimësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në organizatë dhe ruajtjen e aksesit të sektorit shqiptar në standardet, informacionin, ekspertizën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar që ofron COI.
Ministri nënvizoi gjithashtu se ky ndryshim nuk sjell kosto financiare shtesë për Buxhetin e Shtetit.
“Do të vijojë vetëm pagesa e kontributit vjetor ekzistues të Shqipërisë si vend anëtar, i cili mbulohet brenda buxhetit të miratuar të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, deklaroi Salla.
“Vaji shqiptar i ullirit, produkt gjithnjë e më konkurrues”
Në përfundim të fjalës së tij, ministri i Bujqësisë e lidhi vijimin e pjesëmarrjes në Këshillin Ndërkombëtar të Ullirit me objektivin për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit dhe rritjen e vlerës së prodhimit shqiptar.
Sipas tij, synimi është që fermerët dhe operatorët shqiptarë të përfitojnë gjithnjë e më shumë nga rritja e cilësisë dhe vlerës së prodhimit të tyre, ndërsa vaji shqiptar i ullirit të jetë një produkt gjithnjë e më i njohur dhe konkurrues.
“Vijimi i pjesëmarrjes së Shqipërisë në Këshillin Ndërkombëtar të Ullirit është në interes të drejtpërdrejtë të zhvillimit të sektorit”, theksoi Andis Salla, duke i ftuar deputetët të mbështesin dhe miratojnë projektligjin.


