LIBRAZHD, 17 shtator 2026 /Albania Express News/- Klubi i Futbollit Sopoti kërkon të vijojë me rezultatet pozitive në kampionat, teksa këtë fundjavë do të presë në shtëpi skuadrën e Kastriotit.
Pas tri javëve të para të kampionatit, Sopoti ka grumbulluar 4 pikë, me bilancin prej një fitoreje, një barazimi dhe një humbjeje. Fitorja e fundit në transfertë ndaj Burrelit i ka dhënë skuadrës një shtysë të rëndësishme morale përpara sfidës së radhës.
Në një postim në rrjetet sociale, klubi librazhdas ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për tifozët, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes gjatë gjithë sezonit, pavarësisht rezultateve.

“Kampionati është i gjatë dhe djemtë kanë nevojë për mbështetje, në fitore dhe humbje”, shkruan KF Sopoti.
Klubi vlerëson fitoren e arritur në Burrel dhe e konsideron përballjen me Kastriotin si një tjetër mundësi për të marrë tri pikët.
Sfida Sopoti–Kastrioti do të luhet të dielën, në orën 16:00, në stadiumin e Librazhdit.

Drejtuesit e klubit u kanë bërë thirrje tifozëve që të jenë të pranishëm në stadium dhe të mbështesin ekipin gjatë gjithë ndeshjes.
“Të gjithë në stadium të dielën, ora 16:00, për të mbështetur siç dimë ne djemtë tanë”, është apeli i KF Sopotit.
Me katër pikë në tri javët e para, skuadra e Librazhdit synon që përballë Kastriotit të shfrytëzojë faktorin fushë dhe të regjistrojë një tjetër rezultat pozitiv në kampionat.

