TIRANË ,15 shtator 2026 /Albania Express News/-Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar një ditë para shpalljes së vendimit nga Gjykata Speciale në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në reagimin e tij, Berisha shprehet se pret një vendim pafajësie për katër ish-drejtuesit e UÇK-së, të cilët i cilëson si “heronj të çlirimit të Kosovës”.
“Sytë e shqiptarëve janë të drejtuar drejt Hagës”, shprehet Berisha, duke nënvizuar rëndësinë që ka vendimi për opinionin publik shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri.
Kreu i PD-së thekson njëkohësisht se vendimi i Gjykatës duhet respektuar, pavarësisht përmbajtjes së tij. Ai kundërshton gjithashtu çdo kërcënim apo akt që mund të cenojë Kosovën, rendin kushtetues dhe sigurinë e saj.
Vendimi në Hagë pritet me vëmendje të lartë në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare, ndërsa procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka qenë prej vitesh një prej çështjeve më të ndjekura nga opinioni publik shqiptar.

