TIRANË, 15 shtator 2026 /Albania Express News/- “Revolucioni Flamingo” vijon protestën e tij, duke shënuar sot ditën e 108-të të tubimeve.
Protesta nisi në sheshin “Skënderbej”, ndërsa qytetarët vijuan më pas me fjalimet e tyre pranë Kryeministrisë, ku qëndruan për rreth dy orë. Në vijim, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës, në kuadër të aksionit të tyre të përditshëm.
Më pas, tubimi u zhvendos pranë IEVP 302, në zonën e Mine Pezës, ku protestuesit kërkuan lirimin e personave të arrestuar pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në zonën e Zogut të Zi.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë tubimit të djeshëm u arrestuan 12 persona, ndërsa 15 të tjerë po procedohen penalisht në gjendje të lirë. Policia ka deklaruar se gjatë protestës u cenua perimetri i sigurisë pranë një shkolle dhe pati kundërshtim ndaj punonjësve të Policisë.
Sipas Policisë, gjatë tubimit protestuesit u kanë bërë thirrje nxënësve për bojkotimin e procesit mësimor dhe për pjesëmarrje në protestë.
Në protestën e sotme, organizatorët e kanë zhvendosur fokusin te kërkesa për lirimin e personave të arrestuar, duke e kthyer IEVP 302 në pikën e radhës së tubimit.
Ndërkohë, organizatorët kanë paralajmëruar një tjetër protestë ditën e enjte, këtë herë përpara Parlamentit. Tubimi pritet të nisë në orën 10:00, në të njëjtën kohë me nisjen e seancës plenare.
Gjatë protestës së sotme, aktivisti Arben Kola deklaroi se protestuesit do të mblidhen të enjten përpara Parlamentit, duke përdorur tone të ashpra politike ndaj mazhorancës dhe deputetëve.
“Ditën e enjte parlamenti i krimit rimblidhet me urgjencë për të kaluar 5 ligje që kanë për grabitjen e shqiptarëve. Ndaj atje janë kriminelët, tradhtarët. Ditën e enjte, ora 10: të gjithë te Parlamenti i krimit”, u shpreh Kola.
Protesta e së enjtes pritet të jetë një tjetër zhvillim në vijimësinë e “Revolucionit Flamingo”, pas 108 ditësh tubime dhe marshime në kryeqytet.

