TIRANË, 14 shtator 2026 /Albania Express News/ – Paraqitja e shkëlqyer e AF Elbasanit në javën e katërt të kampionatit “Abissnet Superiore” është vlerësuar edhe në përzgjedhjen e formacionit më të mirë të kësaj jave.
Pas fitores së rëndësishme 2-1 ndaj Egnatias, tre protagonistë të skuadrës verdheblu kanë marrë një vlerësim të veçantë. Armir Boriçi dhe Ardit Nikaj janë përfshirë në formacionin më të mirë të javës, ndërsa në krye të këtij formacioni është përzgjedhur trajneri i AF Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç.

Përzgjedhja është bërë nga trajnerët e ekipeve kombëtare, të cilët kanë evidentuar futbollistët dhe teknikët që spikatën më shumë gjatë ndeshjeve të javës së katërt.
Formacioni është ndërtuar në skemën 1-4-3-3, me trajnerin Ivan Gvozdenovic në krye, një vlerësim që vjen pas suksesit të Elbasanit ndaj kampionëve të Egnatias.
Në portë është përzgjedhur Gabriel Guri (Laçi), ndërsa repartin e mbrojtjes e përbëjnë Ardit Toli (Teuta), Bruno Dita (Dinamo City), Elion Stafa (Laçi) dhe Ndong (Tirana).
Në mesfushë janë vendosur Drame (Skënderbeu), Armir Boriçi (AF Elbasani) dhe Klevi Qefalija (Dinamo City).

Ndërkohë, në vijën e parë të sulmit janë përzgjedhur Muço Boçi (Teuta), Traore (Laçi) dhe Ardit Nikaj (AF Elbasani).
Prania e Boriçit dhe Nikajt në këtë formacion, së bashku me përzgjedhjen e Gvozdenovic si trajneri i javës, është një tjetër tregues i paraqitjes së fortë të skuadrës elbasanase në këtë fazë të kampionatit.
Fitorja ndaj Egnatias ka rritur besimin te skuadra verdheblu, ndërsa puna e trajnerit Gvozdenovic dhe kontributi i futbollistëve po marrin tashmë edhe vlerësim në nivelin e kampionatit.
AF Elbasani vazhdon rrugëtimin në “Abissnet Superiore” me ambicie të qarta, ndërsa performanca e javës së katërt konfirmon se skuadra verdheblu ka potencialin për të qenë një nga protagonistet e këtij sezoni.



