Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi :Ligji për pagat e magjistratëve do të miratohet, mund të kishin qenë pak më të duruar

TIRANË, 14 shtator 2026 /Albania Express News/ – Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, ka deklaruar se ndryshimet ligjore për pagat e magjistratëve pritet të miratohen së shpejti, duke mohuar se situata e krijuar nga mos-ekzekutimi i pagave për këtë muaj përbën një përplasje politike mes qeverisë dhe pushtetit gjyqësor.

Gjatë një interviste televizive, Bylykbashi u shpreh se vonesa në ekzekutimin e pagave lidhet me procedurat për hartimin e nismës ligjore që synon të reflektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për trajtimin financiar të magjistratëve.

Sipas saj, nisma ligjore është depozituar më 30 korrik dhe pritet të shqyrtohet në Kuvend, me synimin që ndryshimet të kalojnë në seancën plenare të 17 shtatorit.

“Gjithë magjistratët mund të kishin qenë pak më të duruar, duke qenë se të gjithë e kanë informacionin që iniciativa ligjore për reflektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është depozituar më 30/07 dhe do të shqyrtohet shumë shpejt”, deklaroi Bylykbashi.

Deputetja socialiste argumentoi se, në kushtet e pritjes për ndryshimin e kuadrit ligjor, pagat e këtij muaji mund të ishin ekzekutuar sipas nivelit aktual, ndërsa pas miratimit të ndryshimeve të reja do të mund të zbatohej edhe efekti prapaveprues.

“Mund të ishin paguar këtë muaj me pagën ekzistuese dhe me kalimin e vendimit të ri mund ta kishin përfituar efektin prapaveprues”, tha ajo.

Bylykbashi hodhi poshtë gjithashtu interpretimet se çështja e pagave të magjistratëve po shndërrohet në një konflikt politik mes mazhorancës dhe sistemit të drejtësisë.

“Nuk e shikoj si luftë politike, të paktën nga ana e qeverisë”, u shpreh deputetja, duke shtuar se mazhoranca nuk ka dhënë një qëndrim politik mbi faktin nëse kërkesa për rritjen e pagave është apo jo e drejtë, por është bazuar te vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas saj, procesi lidhet kryesisht me nevojën për të përfunduar procedurat ligjore dhe për të përshtatur legjislacionin me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Miratimi i ndryshimeve ligjore pritet të qartësojë edhe mënyrën e zbatimit të efekteve financiare për magjistratët, në një kohë kur çështja e pagave të tyre ka sjellë debate mes institucioneve të drejtësisë dhe ekzekutivit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

PD: Arsimi shqiptar në gjendje të rëndë dhe jashtë çdo standardi

TIRANË ,14 shtator 2026 /Albania Express News/-Anëtarja e kryesisë...