TIRANË ,13 shtator 2026 /Albania Express News/-Me nisjen e vitit të ri shkollor, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka nisur kontrollet në institucionet arsimore në të gjithë vendin, me fokus verifikimin e kushteve higjieno-sanitare dhe garantimin e një mjedisi të sigurt e të shëndetshëm për nxënësit dhe stafin.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, bëri të ditur se ekipet e ISHSH-së janë në terren duke inspektuar shkollat dhe verifikuar kushtet higjieno-sanitare, për ambiente të sigurta dhe të shëndetshme për çdo nxënës.
Sipas ministres, gjatë vitit 2026 janë kryer mbi 2 mijë inspektime nga ISHSH në rang vendi, ndërsa kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë vitit.
Në një video të publikuar nga ministrja, një punonjëse e ISHSH-së shpjegon se kontrollet kanë në fokus kryesisht pastërtinë e ambienteve dhe garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm.
“Në fokus është kontrolli i kushteve higjieno-sanitare, ku kontrollohet pastërtia e ambientit, furnizimi me ujë të pijshëm, në mënyrë që të garantohet një mjedis i sigurt për nxënësit dhe për stafin”, tha ajo.
Sipas saj, inspektimet do të vazhdojnë në të gjithë sezonin shkollor dhe aty ku do të vërehen shkelje ose problematika, do të merren masa duke u bazuar në legjislacionin në fuqi.

