LIBRAZHD, 12 shtator 2026 /Albania Express News/ – Stadiumi i Librazhdit është gati të presë ndeshjet e Kategorisë së Parë, pas përfundimit të ndërhyrjeve të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës dhe plotësimin e standardeve të licencimit.
Gjatë mesjavës, zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) zhvilluan një vizitë inspektuese në stadiumin “Sopoti”, ku verifikuan kushtet dhe ndërhyrjet e realizuara në funksion të sezonit të ri futbollistik 2026-2027.
Në javët e fundit, Klubi i Futbollit Sopoti, në bashkëpunim me Bashkinë Librazhd, ka ndërmarrë një sërë investimesh dhe ndërhyrjesh për përshtatjen e stadiumit me kriteret e kërkuara për zhvillimin e ndeshjeve të Kategorisë së Parë.

Punimet kanë përfshirë përmirësimin e dhomave të zhveshjeve dhe pankinave, vendosjen e platformave për kamerat e transmetimit televiziv, përmirësimin e kushteve për tifozët, si dhe ndërhyrje në fushën e lojës, e cila tashmë është sjellë në parametra të përshtatshëm për zhvillimin e ndeshjeve.
Pas inspektimit dhe verifikimit të ndërhyrjeve të kryera, stadiumi i Librazhdit plotëson kriteret e nevojshme për të pritur takimet e Sopotit në Kategorinë e Parë.
Ky vlerësim i jep mundësinë skuadrës librazhdase që sezonin e ri ta zhvillojë në shtëpinë e saj, përballë tifozëve vendas, në një impiant të përmirësuar dhe me kushte më të përshtatshme për futbollistët, stafin teknik dhe spektatorët.

Sopoti–Besa, sfida e parë në shtëpi
Rikthimi në stadiumin “Sopoti” do të marrë një tjetër dimension këtë të shtunë, në orën 16:00, kur Sopoti do të përballet me Besën e Kavajës, në ndeshjen e parë të sezonit të ri 2026-2027 në Kategorinë e Parë.
Përballja pritet të sjellë një atmosferë të veçantë në stadium, me tifozët librazhdas që do të kenë mundësinë të shohin ekipin e tyre të luajë sërish në shtëpi.
Në prag të kësaj sfide, kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, ka bërë thirrje për mbështetje të skuadrës, duke ftuar tifozët të jenë të pranishëm në stadium.

“Mirëmëngjes 😊 dhe me ftesën për t’u bashkuar sot, në orën 16:00, në stadiumin ‘Sopoti’, për të mbështetur ekipin tonë të zemrës, K.F. Sopoti 💚🤍, në përballjen me K.F. Besën e Kavajës, një ndeshje në shtëpi, në Kategorinë e Parë, ku mbështetja e tifozëve tanë është më e rëndësishme se kurrë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Disha në postimin e tij.
Me stadiumin tashmë të përshtatur sipas kërkesave të FSHF-së, Sopoti synon ta nisë sezonin e ri me një rezultat pozitiv, ndërsa tifozët librazhdas pritet t’i japin skuadrës mbështetjen e tyre nga shkallët e stadiumit.


