ELBASAN, 11 shtator 2026 /Albania Express News/ – Bashkia Elbasan ka intensifikuar përgatitjet për nisjen e vitit të ri shkollor 2026–2027, me synimin për të garantuar kushte të sigurta, të përshtatshme dhe cilësore për nxënësit dhe fëmijët që do të frekuentojnë institucionet arsimore.
Në prag të nisjes së procesit mësimor, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka zhvilluar takime në shkolla dhe kopshte të qytetit, por edhe në njësitë administrative, për të parë nga afër përgatitjet dhe për të evidentuar nevojat e fundit para nisjes së vitit të ri shkollor.
Në takime kanë marrë pjesë drejtues institucionesh arsimore, mësues, prindër, oficerë sigurie dhe aktorë të tjerë të përfshirë në mbarëvajtjen e procesit edukativ.

Siguria dhe kushtet në institucionet arsimore
Një nga prioritetet kryesore të diskutimeve ka qenë siguria e fëmijëve dhe nxënësve, së bashku me pastërtinë, mirëmbajtjen e ambienteve dhe gjendjen e hapësirave përreth shkollave.
Vëmendje i është kushtuar edhe gjendjes së rrugëve dhe sinjalistikës pranë institucioneve arsimore, me qëllim rritjen e sigurisë së nxënësve gjatë hyrje-daljeve nga shkolla.
Një tjetër fokus ka qenë parandalimi i bullizmit dhe çdo forme dhune, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes shkollës, familjes dhe strukturave përgjegjëse.

Në këtë kuadër, rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe krijimit të kushteve sa më të përshtatshme për fëmijët me aftësi ndryshe, duke synuar një mjedis arsimor gjithëpërfshirës.
Tre shkolla me ambiente të reja
Viti i ri shkollor sjell edhe investime të rëndësishme në infrastrukturën arsimore të Elbasanit.
Shkollat “Dhaskal Todri” dhe “Shushicë” do të presin nxënësit në godinat e rikonstruktuara, ndërsa Shkolla Speciale “Zëra Jete” nis vitin e ri në ambiente të reja dhe bashkëkohore.
Ndërkohë, vijon puna për rikonstruksionin e plotë të shkollës “Naim Frashëri”, një tjetër ndërhyrje që synon përmirësimin e kushteve të zhvillimit të procesit mësimor.

“Pas Shkolle” zbatohet në 15 shkolla
Një risi për vitin e ri shkollor është edhe zbatimi në 15 shkolla të Bashkisë Elbasan i programit të Ministrisë së Arsimit “Pas Shkolle”.
Përmes këtij programi, nxënësit do të kenë mundësi të kryejnë detyrat e shtëpisë, por edhe të angazhohen në një sërë aktivitetesh jashtëshkollore, përfshirë muzikën, teatrin, kërcimin, zejet, pikturën dhe sportin.
Programi synon të krijojë më shumë hapësira për zhvillimin e talenteve dhe aftësive krijuese e sportive të fëmijëve, duke e shndërruar kohën pas mësimit në një mundësi për të mësuar, socializuar dhe zhvilluar aftësi të reja.
Me investimet në infrastrukturë, masat për sigurinë dhe mirëmbajtjen, si dhe programet e reja për nxënësit, Bashkia Elbasan synon që viti i ri shkollor të nisë me institucionet arsimore të përgatitura në të gjithë territorin e bashkisë, nga qendra e qytetit deri në njësitë administrative.
Objektivi është që nxënësit të rikthehen në banka në një mjedis të sigurt, gjithëpërfshirës dhe të përshtatshëm për mësim, duke e nisur vitin shkollor 2026–2027 me më shumë mundësi për edukim, zhvillim dhe sukses.


