MALIQ, 9 shtator 2026 /Albania Express News/- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka vizituar në banesë punonjësin e Policisë Edison Adri, i cili u plagos gjatë një operacioni policor në malin e Bodenit, në Maliq, për kapjen e një personi të kërkuar.
Gjatë operacionit humbi jetën kolegu i tij, Dëshmori i Atdheut, Enea Mekolli.
Pas përfundimit të trajtimit mjekësor në Itali, Edison Adri është rikthyer në banesë, ku vijon periudhën e rikuperimit. Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm u takua me efektivin dhe familjarët e tij, duke përcjellë mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe mirënjohjen për sakrificën e tij në përmbushje të detyrës.
“Së pari, gëzohem shumë që je kthyer në shtëpi, pas një kurimi të vështirë në Itali”, u shpreh Hita, duke theksuar se vizita e tij ishte jo vetëm në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm, por edhe si koleg dhe pjesë e familjes së madhe të Policisë së Shtetit.
Hita vlerësoi sakrificën e dy efektivëve gjatë operacionit dhe garantoi se ajo nuk do të harrohet.
“Sakrifica e Eneas, tashmë Dëshmor i Atdheut, dhe sakrifica jote nuk do të harrohen kurrë”, deklaroi ai.
Drejtori i Përgjithshëm theksoi gjithashtu se Adri nuk është i vetëm gjatë procesit të rikuperimit, duke garantuar mbështetjen e Policisë së Shtetit, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Qeverisë shqiptare.
“Ti e bëre detyrën tënde, tani është detyra jonë të vijojmë të jemi pranë teje, në çdo kohë”, u shpreh Hita.
Në fund të takimit, ai i uroi efektivit shërim të plotë dhe rikthim sa më të shpejtë në detyrë, pranë kolegëve dhe në shërbim të qytetarëve.
Nga ana e tij, punonjësi i Policisë Edison Adri falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe të gjithë personat që kontribuuan për trajtimin dhe kurimin e tij jashtë vendit.


