ELBASAN ,09 shtator 2026 /Albania Express News/-Banorët e fshatit Letan, në Njësinë Administrative Bradashesh të Bashkisë Elbasan, kanë protestuar këtë të mërkurë kundër ndotjes masive për shkak të aktivitetit të një guroreje në zonë, duke ngritur shqetësime për problematikat e shkaktuara për shëndetin nga ndotjen e mjedisit, pluhurin që përhapet pothuajse gjatë gjithë ditës si edhe dëmtimin e infrastrukturës së rrugëve nga makineritë e tonazhit të rëndë.
Sipas banorëve, aktiviteti i gurores pranë zonës së banuar vijon prej më shumë se dy vitesh dhe ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për jetën e përditshme të komunitetit.
Banorët pretendojnë se niveli i pluhurit të shkaktuar nga lëvizja e mjeteve dhe aktiviteti i gurores është bërë shqetësues, duke ndikuar në banesa, tokat bujqësore dhe rrugët e zonës.
Të paktën një bllok banimi me 50 familje pranë vendit ku është gurorja janë të prekura nga kjo situatë. Ata shprehen se në ditët me aktivitet të shtuar e kanë të vështirë të mbajnë hapur dritaret e banesave, ndërsa sipas tyre, pluhuri depozitohet edhe mbi kulturat bujqësore.
“Na ka mbuluar pluhuri”, është një prej shqetësimeve kryesore të përcjella nga banorët gjatë protestës.
Sipas tyre, frutat dhe perimet e kultivuara në zonë mbulohen nga pluhuri dhe, për pasojë, banorët shprehen të shqetësuar për mundësinë e konsumimit të tyre.
Përveç ndotjes së pretenduar, banorët ngrenë shqetësime edhe për dëmtimin e infrastrukturës rrugore, që sipas tyre lidhet me qarkullimin e vazhdueshëm të mjeteve të rënda që përdoren për transportin e materialeve.
Banorët bëjnë me dije se i janë drejtuar në mënyrë të përsëritur institucioneve lokale dhe qendrore përmes ankesave dhe shkresave zyrtare, duke kërkuar verifikimin e situatës dhe marrjen e masave.
Megjithatë, sipas tyre, pavarësisht ankesave të depozituara, aktiviteti i gurores vijon.
Banorët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të verifikuar nivelin e ndotjes, kushtet në të cilat ushtrohet aktiviteti dhe ndikimin që ai ka mbi komunitetin dhe mjedisin përreth.
Ata paralajmërojnë gjithashtu se, nëse problematika nuk merr zgjidhje dhe nuk merren masa konkrete, do të vijojnë protestat dhe do të përshkallëzojnë reagimin e tyre.
Në një ditë të zakonshme, sipas banorëve, aktiviteti në gurore nis rreth orës 08:00 të mëngjesit. Ndërsa këtë të mërkurë, në momentin e protestës, mjetet e punës u panë të fikura.
Në zonë ishin të pranishëm banorët protestues dhe mediat, të cilët ndoqën nga afër situatën.
Banorët kërkojnë që institucionet kompetente të dalin me një qëndrim të qartë dhe të marrin masa nëse konstatohen shkelje të standardeve mjedisore apo të kushteve të ushtrimit të aktivitetit.

