Glen Daja: Elbasani rival direkt, presim një ndeshje të luftuar në “Elbasan Arena”

TIRANË / ELBASAN, 5 shtator 2026 / Albania Express News/ – Dinamo City e ka fokusin te sfida e javës së tretë të Abissnet Superiore, ku të dielën, në orën 18:30, do të përballet me AF Elbasanin në stadiumin “Elbasan Arena”.

Në prag të kësaj përballjeje, zëvendëstrajneri i Dinamos, Glen Daja, ka folur për mediat, duke vlerësuar kundërshtarin dhe rëndësinë e sfidës për skuadrën kryeqytetase.

Daja e konsideron Elbasanin një rival direkt, ndërsa thekson se blutë janë të përgatitur për një ndeshje me ritëm dhe rivalitet të lartë.

“Kemi përpara një ndeshje të rëndësishme ndaj një rivali direkt, siç është skuadra e Elbasanit. Do të luajmë në ‘Elbasan Arena’, në një terren shumë të mirë të cilin tashmë e njohim mjaft mirë, sepse kemi zhvilluar ndeshjet tona europiane dhe kemi pasur sukses”, u shpreh Daja.

Sipas tij, Dinamo synon të zhvillojë një tjetër paraqitje pozitive, duke marrë si referencë edhe ndeshjet e zhvilluara gjatë aventurës europiane.

“Besojmë se do të zhvillojmë një ndeshje të bukur, si ato që luajtëm në Europë. Jemi të vetëdijshëm se do të jetë një sfidë e luftuar dhe me rivalitet të madh”, deklaroi zëvendëstrajneri i Dinamos.

Një tjetër element që Daja vlerëson është atmosfera në stadium. Ai uroi që “Elbasan Arena” të ketë një numër të madh tifozësh, duke theksuar se mbështetja nga shkallët e stadiumit mund t’u japë futbollistëve një shtysë të rëndësishme.

“Uroj të ketë sa më shumë tifozë, për të krijuar një atmosferë të bukur dhe një ambient të mirë për të luajtur futboll, sepse kjo i ndihmon shumë lojtarët për të dhënë më të mirën e tyre”, tha ai.

Dinamo  City përfitoi nga një javë e plotë përgatitore

Për herë të parë në këtë fillim sezoni, Dinamo ka pasur në dispozicion pothuajse një javë të plotë për t’u përgatitur, pas një periudhe të ngarkuar për shkak të angazhimeve europiane.

Daja e sheh këtë si një mundësi të rëndësishme për të punuar me grupin dhe për të përgatitur në detaje sfidën ndaj Elbasanit.

“Si rrallëherë gjatë kësaj periudhe, pasi kemi pasur një kalendar të ngjeshur për shkak të ndeshjeve në Europë, këtë herë kemi pasur në dispozicion pothuajse një javë të plotë për t’u përgatitur për sfidën e radhës”, theksoi ai.

Zëvendëstrajneri bëri të ditur gjithashtu se skuadra ka punuar mirë gjatë ditëve të fundit, por situata e plotë e grupit do të përcaktohet vetëm në prag të ndeshjes.

“Kemi punuar shumë mirë me skuadrën dhe shpresoj që ekipi të paraqitet ashtu siç duhet, pavarësisht se grupi nuk është ende 100% i plotë. Mund të kemi disa mungesa, por situatën përfundimtare do ta vlerësojmë në prag të ndeshjes”, përfundoi Glen Daja.

Përballja AF Elbasani–Dinamo City pritet të jetë një nga ndeshjet më interesante të javës së tretë të kampionatit, me të dyja skuadrat që kërkojnë një rezultat pozitiv në një duel që premton intensitet, rivalitet dhe emocione në “Elbasan Arena”.

AF Elbasani–Dinamo City | E diel, 6 shtator | Ora 18:30 | “Elbasan Arena”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME