Zjarr në Kodër Krastë të Elbasanit, ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve neutralizon flakët

ELBASAN , 05 shtator 2026/Albania Express News/-Një zjarr përfshiu pasditen e kësaj të shtune një pjesë të Kodër Krastës, një prej masiveve pyjore më të mëdha me pisha në periferi të qytetit të Elbasanit, duke shkaktuar shqetësim për rrezikun e përhapjes së flakëve në drejtim të sipërfaqeve të pyllëzuara.

Flakët u përhapën me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme, favorizuar nga era dhe kushtet e thata, duke krijuar rrezikun që zjarri të merrte përmasa më të mëdha dhe të depërtonte në masivin me pisha.

Pas marrjes së njoftimit, shërbimet zjarrfikëse reaguan menjëherë. Në terren u angazhuan 3 mjete zjarrfikëse dhe 12 punonjës, të cilët nisën operacionin për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit.

Ndërhyrja e shpejtë bëri të mundur vënien nën kontroll të flakëve, duke parandaluar përhapjen e tyre drejt pjesës më të rrezikuar të masivit pyjor. Për shkak të terrenit dhe kushteve atmosferike, operacioni vijoi edhe gjatë orëve të mbrëmjes, kur u bë e mundur fikja e plotë e zjarrit.

Sipas të dhënave paraprake, nuk raportohet dëmtim apo djegie e pishave të masivit pyjor. Zjarri ka përfshirë kryesisht barishte dhe shkurre, çka ka shmangur një situatë potencialisht më të rëndë për një nga zonat e gjelbra më të rëndësishme pranë qytetit të Elbasanit.

Reagimi në kohë i shërbimeve zjarrfikëse vlerësohet si një element kyç në parandalimin e përhapjes së flakëve, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta, thatësirës dhe erës, faktorë që favorizojnë përhapjen e shpejtë të zjarreve në sipërfaqet me bimësi të thatë.

Pas shuarjes së flakëve, situata në zonë u vu nën kontroll dhe shërbimet zjarrfikëse kryen verifikimet përkatëse për të eliminuar mundësinë e riaktivizimit të vatrave të zjarrit.

Përmasat e sipërfaqes së përshkuar nga zjarri dhe shkaqet e rënies së tij pritet të përcaktohen pas vlerësimit të plotë në terren. Aktualisht, masivi me pisha i Kodër Krastës nuk rezulton të jetë dëmtuar nga flakët.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME