TIRANË , 05 shtator 2026/Albania Express News/-Një hulumtim i thelluar i kryer nga VNA mbi deklarimet zyrtare të pasurisë për vitin 2025 zbulon prapaskenat e financave të familjarëve të kabinetit qeveritar. Prapa posteve të larta shtetërore fshihet një rrjet i ndërlidhur interesash financiare, ku bashkëshortët, bashkëjetuesit dhe fëmijët e ministrave arkëtojnë të ardhura të konsiderueshme nga kompani private, borde shtetërore, fondacione apo kontrata qiraje.
Nëpërmjet këtij investigimi, VNA sjell panoramën e të ardhurave të familjarëve të zyrtarëve më të lartë të shtetit, duke i konvertuar të gjitha shifrat në euro për një lexim sa më të qartë dhe transparent.
Fijet e financave: Ku punojnë dhe sa fitojnë familjarët e ministrave?
Albana Koçiu – Zëvendëskryeministre
Bashkëshorti i zëvendëskryeministres, Arbër Misja, siguron të ardhura kryesisht nga sektori publik dhe bordet drejtuese. Për vitin 2025, ai ka deklaruar rreth 21,638 euro pagë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, si dhe rreth 5,072 euro nga pjesëmarrja në këshillin drejtues të Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë, duke kapur një total prej rreth 26,710 euro.
Petrit Malaj – Ministër i Financave
Familja e kreut të Financave arkëton të ardhura të konsiderueshme nga sektori privat ndërkombëtar. Bashkëshortja e tij, Ana Malaj, ka deklaruar për vitin 2025 një pagë vjetore prej 60,305 euro nga kompania e shërbimeve financiare dhe kreditore CRIF SPA.
Mirela Kumbaro – Ministre e Arsimit
Në familjen e ministres Kumbaro, të ardhurat rrjedhin nga media, agjencitë shtetërore dhe jashtë vendit.
Bashkëshorti i saj, Aleksandër Furxhi, ka deklaruar rreth 36,000 euro nga kontrata civile dhe honorare me Media Vizion Sh.a.
Vajza e saj, Sara Furxhi, ka deklaruar 11,936 euro pagë të akumuluar nga tri kompani të ndryshme: rreth 3,721 euro nga SASSON, 2,046 euro nga FOL73 dhe 6,169 euro nga Atoll 75.
Ndërsa i biri, Tom Furxhi, është i punësuar në strukturat shtetërore, ku nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes ka përfituar rreth 14,634 euro pagë.
Klodiana Spahiu – Ministre e Shëndetësisë
Ministrja e re e Shëndetësisë paraqet një strukturë të larmishme të të ardhurave familjare, me shtrirje nga spitalet shqiptare deri te klinikat gjermane.
Bashkëshorti i saj, Eduard Spahiu, ka deklaruar në total rreth 30,076 euro. Kjo shumë përbëhet nga fitimi si person fizik, rreth 6,000 euro; paga nga Spitali Rajonal Durrës, rreth 13,470 euro; paga nga Universiteti Katolik “Zonja e Këshillit të Mirë”, rreth 1,657 euro; të ardhura të tjera dytësore, rreth 7,076 euro, si dhe interesa bankare prej rreth 421 euro.
Nga ana tjetër, e bija, Dea Spahiu, ka realizuar rreth 24,300 euro nga puna në sektorin e mjekësisë në Gjermani: 7,113 euro nga Klinikum Aschaffenburg dhe 17,186 euro nga Deutsche Herzzentrum München.
Ermal Nufi – Ministër i Mbrojtjes
Bashkëshortja e ministrit të Mbrojtjes, Lisarta Nufi, kombinon sektorin publik me atë të energjisë.
Ajo ka deklaruar rreth 18,579 euro pagë nga KESH sh.a., rreth 3,972 euro nga pjesëmarrja në bordin e Sena Solar Energy Albania SHA, si dhe rreth 954 euro pagë nga Avokatura e Shtetit, duke arritur një total prej rreth 23,505 euro.
Ferit Hoxha – Ministër i Jashtëm
Kreu i diplomacisë nuk ka deklaruar bashkëshorte apo bashkëjetuese, por ka deklaruar të ardhurat e dy djemve të tij.
Djali i tij, Maximilien Nèmo Kastriot Hoxha, deklaron një pagë prej rreth 32,415 euro nga kompania ndërkombëtare e konsulencës WAVESTONE.
Ndërsa djali tjetër, Gabriel Lèo Paul Ferit Hoxha, deklaron vetëm një gjendje në llogari bankare prej rreth 500 euro.
Besfort Lamallari – Ministër i Brendshëm
Bashkëjetuesja e ministrit të Brendshëm, Anisa Pashaj, financohet nga një agjenci shtetërore.
Ajo ka deklaruar për vitin 2025 një pagë prej rreth 10,266 euro nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore.
Paradoksi i ministrit të Drejtësisë: Toni Gogu me djalin në borxhe 50 mijë euro
Një rast i veçantë që bie në sy gjatë hulumtimit të VNA-së është ai i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu. Përveç të ardhurave të zakonshme familjare, deklarata e pasurisë shpërfaq një detaj financiar të papritur te brezi i ri i familjes.
Bashkëshortja e tij, Edi Gogu, ka deklaruar rreth 9,782 euro pagë nga Fondacioni “Gjerasim D. Qiriazi”, si dhe rreth 1,600 euro nga honoraret, në total rreth 11,382 euro.
Vajza e tij, Antonia Gogu, ka fituar rreth 10,191 euro nga paga pranë kompanisë së auditimit Deloitte Albania sh.p.k.
Mirëpo, vëmendjen e tërheq i biri, Teojorg Gogu. Ndërsa ka deklaruar vetëm rreth 1,990 euro pagë nga SIAME sh.p.k. dhe rreth 886 euro të ardhura nga bursa, në total rreth 2,876.50 euro, ai ka deklaruar zyrtarisht një borxh prej 50,000 eurosh.
Ky detyrim financiar bie në sy përballë të ardhurave modeste vjetore që ai deklaron.
Kabineti i “të vetmuarve”: Zyrtarët pa bashkëshortë e pa deklarime familjare
Hulumtimi i VNA-së sjell në vëmendje edhe një grup anëtarësh të kabinetit të cilët, zyrtarisht në deklaratat e pasurisë, nuk kanë deklaruar partner, bashkëshort apo bashkëjetues, duke i kaluar detyrimet e deklarimit financiar vetëm mbi emrin e tyre personal.
Diella – Ministre e Inteligjencës Artificiale: Krijesa virtuale e kabinetit deri tani nuk ka bashkëshort dhe nuk deklaron pasuri apo kosto publike në këtë formë.
Delina Ibrahimaj – Ministre e Ekonomisë: Megjithëse partneri i saj është lakuar shpesh në publik për përfshirje apo zhvillime të ndryshme, zyrtarisht në deklaratën e pasurisë ajo nuk ka deklaruar bashkëshort apo bashkëjetues.
Adea Pirdeni – Ministre për Administratën: Edhe pse pak muaj më parë u bë nënë e një djali, zyrtarisht në letrat e pasurisë rezulton e vetme.
Andis Salla – Ministër i Bujqësisë: Nuk ka deklaruar asnjë marrëdhënie martese apo bashkëjetese.
Sofjan Jaupaj – Ministër i Mjedisit: Nuk ka të regjistruar asnjë lidhje apo bashkëjetesë zyrtare.
Majlinda Dhuka – Kryenegociatore me BE: Rezulton plotësisht e vetme në deklarimin e saj.
Ervin Demo – Ministër i Pushtetit Vendor: Nuk ka deklaruar bashkëshort apo partner.
Erjona Ismaili – Ministre për Parlamentin: Gjithashtu nuk ka deklaruar asnjë bashkëjetues apo anëtar tjetër përkatës në letrat e pasurisë.
Hulumtimi i VNA-së tregon se si pushteti dhe biznesi ndërthuren në mënyrë të ndërlidhur, ku emrat e kompanive private, bordeve shtetërore dhe transaksioneve financiare shfaqen në deklarimet e familjarëve të njerëzve që drejtojnë vendin./Lajmi i përgatitur nga VNA

