Bllokimi i pagave/ Prokuroritë e Elbasanit dhe Beratit kërkojnë përgjegjësit: Kush dha urdhrin? Të ekzekutohen pagesat

ELBASAN -BERAT, 4 shtator 2026 / Albania Express News / – Bllokimi i pagave të muajit gusht për magjistratët, oficerët e Policisë Gjyqësore dhe punonjësit e administratës ka sjellë reagimin e Prokurorive të Elbasanit dhe Beratit, të cilat kërkojnë ekzekutimin e menjëhershëm të pagesave, si dhe sqarimin e plotë të përgjegjësive për vendimin që ka penguar kalimin e fondeve në llogaritë bankare të punonjësve.

Dy prokuroritë pretendojnë se fondet për pagesat kanë qenë të disponueshme në buxhet dhe se urdhërpagesat ishin përpunuar, ndërsa ekzekutimi i tyre është penguar pas një urdhri për kthimin e fondeve.

Prokuroria e Elbasanit kërkon zhbllokimin e pagave

Në shkresën e datës 3 shtator, Prokuroria e Elbasanit shprehet se bankat e nivelit të dytë kanë marrë urdhër nga Dega e Thesarit për kthimin e fondeve të çelura nga Banka e Shqipërisë.

Sipas informacionit verbal të përcjellë pranë institucionit, shkak për këtë situatë është bërë mosrakordimi i fondeve të nevojshme për përballimin e rritjes së pagave të magjistratëve.

Prokuroria e Elbasanit argumenton se fondet kanë qenë të disponueshme dhe se urdhërpagesat ishin përpunuar, por kalimi i tyre në llogaritë e përfituesve është penguar pa iu komunikuar institucionit një akt i arsyetuar apo një bazë ligjore konkrete.

“Administrimi i thesarit duhet t’i shërbejë realizimit të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, jo pezullimit të tyre”, thuhet në qëndrimin e Prokurorisë së Elbasanit.

Institucioni vlerëson se një mosmarrëveshje lidhur me fondet nuk mund të përdoret si arsye për kthimin e fondeve të disponueshme dhe për bllokimin e pagave korrente, të cilat përbëjnë detyrime të menjëhershme ndaj punonjësve dhe magjistratëve.

Prokuroria e Beratit kërkon të zbardhet urdhri

Edhe Prokuroria e Beratit ka kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të pagave dhe informacion të plotë mbi procedurën që ka çuar në mos-ekzekutimin e tyre.

Në kërkesën e saj, prokuroria kërkon të identifikohet akti administrativ, baza ligjore dhe autoriteti përgjegjës për kthimin e fondeve.

Institucioni kërkon që të bëhen të ditura, me shkrim dhe pa vonesë, të gjitha aktet, urdhrat, udhëzimet, instruksionet, komunikimet elektronike apo veprimet administrative që kanë sjellë ose kanë ndikuar në mosrealizimin, pezullimin, kthimin apo mosprocedimin e pagesave.

Në thelb, kërkesa synon të japë përgjigje për një prej pikëpyetjeve kryesore të situatës: kush e dha urdhrin për kthimin e fondeve dhe mbi çfarë baze ligjore u ndërmor ky veprim?

Përplasja për pagat e magjistratëve

Problematika e pagave të magjistratëve lidhet me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte përcaktuar afate për realizimin e formulës së re të pagave.

Pas kalimit të afatit, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) kanë argumentuar se janë të detyruar të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe kanë ndërmarrë hapa për përcaktimin e pagës referuese.

Çështja ka sjellë reagime edhe nga Shoqatat e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ndërsa kërkesa për zhbllokimin e llogarive dhe garantimin e pagesave është bërë edhe nga Gjykata e Lartë.

Në këtë situatë, Prokuroritë e Elbasanit dhe Beratit kërkojnë jo vetëm ekzekutimin e pagave, por edhe transparencë të plotë mbi zinxhirin administrativ që çoi në bllokimin e tyre.

Tashmë pritet të sqarohet nëse kthimi i fondeve ka ardhur si pasojë e një problemi teknik apo financiar në administrimin e buxhetit, apo nëse pas tij qëndron një vendimmarrje administrative konkrete dhe kush mban përgjegjësinë për të.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME