Lej Fenët, Made in Albania!

Nga Lutfi Dervishi

TIRANË ,02 shtator 2026 / Albania Express News /-Brezi i shqiptarëve që ka shkuar në shkollë në vitet ’60 dhe ’70 mund ta mbajë mend Lej Fenin.

Lej Feni ishte një ushtar i ri, që u bë model i propagandës maoiste. Ai, në fakt, ndërroi jetë në një aksident banal katër vite, ose siç na pëlqen të themi sot një mandat,- para se të niste “Revolucioni Kulturor”, por u bë i pavdekshëm kur kryetari Mao dha porosinë: “mësoni nga shoku Lej Fen.”

Asokohe Lej Feni shfaqej kudo; në libra, gazeta, fotografi, postera. Herë duke ndihmuar një të moshuar, herë një shok ushtrie e herë duke punuar vullnetarisht. Ai lexonte me zell te madh veprat e kryetarit Mao, mendonte për Partinë dhe, mbi të gjitha, nuk mendonte kurrë për veten.

Lej Feni bënte gjëra te vogla, por të mira- më pat sqaruar në vitin 1999 Du, një përkthyes kinez që fliste shqipen si korçar.
Lej Feni ishte heroi ideal, njeriu i thjeshtë që bënte mirë, ndihmonte me aq sa mundej të tjerët dhe i shërbente deri në vetëmohim partisë!
Është më të vërtetë magjepse sa shumë gjëra morëm brenda një periudhe relativisht të shkurtër nga Revolucioni Kulturor Kinez. Morëm daci baot që në shqip u pagëzuan fletë rrufe, gjimnastikën e mengjesit në qendrat e punës dhe shkolla, kontrollin punëtor fshatar, punën fizike për intelektualet, qarkullimin e kuadrove, përdorimin e fekaleve njërëzore si pleh organik në bujqësi, heqjen e gradave në ushtri dhe natyrshëm nuk mungoi as Lej Feni.

Historia e tij u botua në shqip në një libër të kuq që në vitin 1964 dhe ai u ofrua si modeli i njeriut të thjeshtë, modest e vetëmohues.
Një brez ende i mban mend tekstet makabre të kohës komunizmi si “Amanet nëna e Llesh Palit/hiç mos t’dhimbet jeta djalit/ke për djalë partinë dhe shtetin/ ke Enverin dhe Mehmetin…

Kanë kaluar më shumë se 60 vjet. Kina ka ndryshuar në mënyrë të paimagjinueshme. Edhe Shqipëria ka ndryshuar dhe është transformuar (fletë rrufetë tani janë në FB dhe portale), por pak kush mund ta mendonte se Lej Feni do të rikthehet në 2026 në Tiranë!
Ndërkohë që protesta e qytetareve ka hyrë në muajin e katërt, qeveria ka zbuluar rrotën: “të dëgjojmë hallet e njerëzve”

Lej Fenet e shekullit të ri kanë zbritur në terren për hallet popullit. Ai i para 60 viteve kishte uniformë ushtari dhe stemen e Maos, ky i sotmi ka kostum dhe iphone

I pari fotografohej duke ndihmuar një plak me bastun, i dyti filmohet duke dëgjuar njerëz në rrugë, në lokale, në plazhe.
Lej Feni origjinal lexonte veprat e kryetarit Mao, kopja e tij shqiptare lexon dokumentin “Besa”

Por, për hir të së vërtetës, Lej Feni kinez ishte më i dobishëm sepse ai realisht ndihmonte me aq sa kishte mundësi – Lej Fenet tanë thonë: do të dëgjoj hallin që ke, do ta adresoj aty ku duhet dhe do të kontrolloj nëse halli të është zgjidhur.

Këtu kopja shqiptare e lë në llucë origjinalin kinez: ministri dëgjon hallin për administratën që drejton ministri, deputeti ia adreson hallin qeverisë që mbështet deputeti, drejtuesi politik kontrollon nëse qeveria dhe parlamenti që drejtohen nga partia e tij e ka zgjidhur hallin. Një qark i përsosur që me siguri do të bëjë qark të shkurtër në 12 qarqet e vendit.
Me një fjalë, qeveria ka dalë në terren për t’i dëgjuar qytetarët që ankohen për qeverisjen dhe për t’ia përcjellë ankesat… qeverisë.

Lej Feni origjinal bënte me të veten diçka, kopjet e tij bëjnë gam- gam madje dhe të prishin dhe algoritmin e Facbook-ut.

Në vitin 1960 e importuam Lej Fenin nga Kina, ndërsa sot e prodhojme vetë, “Made in Albania”! Ja vlen të krenohemi!

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME