TIRANË ,02 shtator 2026 / Albania Express News /-Prodhimi i rrushit në vendin tonë vijon trendin e rritjes, duke u shoqëruar me zgjerimin e sipërfaqeve të mbjella me vreshta dhe me investime në teknologji e kapacitete përpunuese, çka po krijon më shumë mundësi për rritjen e eksporteve dhe të ardhurave për fermerët.
Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se, për vitin 2025, prodhimi vendas i rrushit arriti në rreth 183 mijë tonë, duke e renditur këtë kulturë ndër produktet me rëndësi për zhvillimin e bujqësisë dhe agro-përpunimit në vend.
Qarqet e Fierit, Elbasanit, Beratit dhe Vlorës kanë ndër sipërfaqet më të mëdha të kultivuara me vreshta dhe përfaqësojnë gati mbi 60% të zonave më të rëndësishme të prodhimit të rrushit në Shqipëri.
Zgjerimi i prodhimit po shoqërohet edhe me orientimin e fermerëve drejt investimeve të reja, përfshirë kultivimin në sera, me synim rritjen e rendimentit, përmirësimin e cilësisë dhe zgjatjen e periudhës së prodhimit.
Në këtë drejtim, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) vijon mbështetjen e fermerëve përmes Skemës Kombëtare, me financime që synojnë modernizimin e fermave dhe rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit vendas.
Mbështetja përfshin investime në mbjelljet e reja me vreshta, sistemet e ujitjes, mekanikën bujqësore, rrjetat kundër breshërit, si dhe linjat e përpunimit, duke ndërhyrë në disa hallka të zinxhirit të prodhimit.
Investimet në përpunim synojnë që rrushi të mos mbetet vetëm si produkt i freskët, por të krijojë më shumë vlerë të shtuar përmes produkteve të përpunuara, duke rritur mundësitë e fermerëve dhe agropërpunuesve për të hyrë në tregje të reja.
Rritja e prodhimit vendas dhe përmirësimi i standardeve të kultivimit e përpunimit krijojnë gjithashtu premisa për forcimin e eksporteve shqiptare të produkteve bujqësore. Përmes rritjes së cilësisë, standardizimit, paketimit dhe përpunimit, sektori i vreshtarisë synon të konsolidojë praninë e produkteve shqiptare në tregjet e huaja.
Mbështetja publike për investimet në vreshta dhe në infrastrukturën bujqësore synon njëkohësisht të ulë kostot e prodhimit, të rrisë produktivitetin dhe të përmirësojë të ardhurat e fermerëve.
Nga vreshti te përpunimi dhe tregu, objektivi është krijimi i një zinxhiri më konkurrues, që garanton më shumë prodhim, më shumë vlerë të shtuar dhe më shumë mundësi për eksportet shqiptare.
Vreshtaria mbetet një sektor me potencial për zhvillimin e ekonomisë rurale, veçanërisht në zonat ku kjo kulturë ka traditë dhe përqendrim të lartë të sipërfaqeve të kultivuara.

