Briken Calja rikthehet te medaljet me rekordet e Lojërave Mesdhetare: “Mbështetja e Federatës? Më mirë mos e them, është qesharake”

TIRANË, 2 shtator 2026 / Albania Express News / – Briken Calja është rikthyer te medaljet në mënyrën më të mirë të mundshme. Peshëngritësi shqiptar ka shkëlqyer në Lojërat Mesdhetare, duke fituar medaljen e artë në stilin e shkëputjes, medaljen e bronzit në stilin e shtytjes dhe duke vendosur katër rekorde të reja.

Calja ngriti 154 kilogramë në shkëputje, duke vendosur një prej rekordeve më të rëndësishme të garës. Në total, sportisti shqiptar regjistroi katër rekorde në dy stilet e garimit, ndërsa paraqitja e tij merr një rëndësi të veçantë edhe për shkak të periudhës së vështirë që ka kaluar vitet e fundit.

“Ky është mbi të gjitha një rezultat historik. Përveç medaljes së artë në stilin e shkëputjes, theva dhe katër rekorde. Ky është një lajm shumë i mirë dhe mbi të gjitha një rezultat fantastik”, deklaroi Calja në një intervistë për Top Channel.

Peshëngritësi shqiptar u shpreh se rikthimi pas një pauze rreth dyvjeçare ishte një prej sfidave më të mëdha të karrierës së tij.

“Pas 13 vitesh, kur kisha dhe probleme të mëdha dhe isha në një pauzë prej dy vitesh, ishte ëndrra ime më e madhe që të rikthehesha sërish me medalje dhe të isha prezent në Lojërat Mesdhetare. Normalisht që është diçka shumë madhore për mua”, tha ai.

Calja falënderoi familjen dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, duke përmendur klubin Tirana, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Arsimit. Sipas tij, ndryshimet ligjore dhe mbështetja institucionale kanë qenë një stimul i rëndësishëm për rikthimin në aktivitet.

Por rruga drejt medaljeve nuk ka qenë aspak e lehtë. Një prej vështirësive kryesore për sportistin ishte rënia e konsiderueshme në peshë.

“Vështirësitë më bëjnë akoma më të fortë. Një ndër vështirësitë e mia më të mëdha ishte rënia nga pesha. Humba gati 7 kilogramë e gjysmë deri në 8 kilogramë dhe ishte një nga sfidat e mia më të mëdha. Fatmirësisht ia dola dhe ndihem jashtëzakonisht shumë i lumtur”, rrëfeu kampioni shqiptar.

Kritika ndaj Federatës: “Më hoqën trajnerin”

Përtej suksesit sportiv, Calja foli hapur edhe për marrëdhënien me Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, duke e cilësuar mbështetjen e saj si një prej problematikave kryesore gjatë përgatitjeve për aktivitetin.

Sipas tij, vendimi për të mos përfshirë trajnerin e tij në delegacion ndikoi edhe në aspektin psikologjik.

“Një ndër problematikat kryesore ishte mbështetja e Federatës, që la shumë për të dëshiruar dhe mbi të gjitha ka qenë një dëm nga ana psikologjike. Më hoqën trajnerin. Nuk çuan trajnerin, që ishte kryesore”, deklaroi Calja.

Ai bëri të ditur se situata u zgjidh pas ndërhyrjes së Komitetit Olimpik, i cili, sipas tij, mundësoi rikthimin e emrit të trajnerit në delegacion.

“Fatmirësisht, gjej rastin të falënderoj Komitetin Olimpik për rifutjen e emrit të trajnerit te shtesat. Ishte një moment që për mua… nuk di të gjej fjalën, sepse është vërtet për të ardhur keq. Nuk mund t’i hiqet trajneri kampionit të Botës dhe të Evropës! Por fatmirësisht ia dolëm dhe po flasim për medalje”, u shpreh ai.

“Të rinjtë janë e ardhmja, por kampionët nuk mund të anashkalohen”

Calja komentoi edhe debatin për brezin e ri të peshëngritësve shqiptarë. Ai u shpreh dakord që sportistëve të rinj duhet t’u jepet hapësira e nevojshme, por theksoi se rezultatet e sportistëve me një histori të madhe nuk duhet të shpërfillen.

“Unë jam shumë dakord që të rinjtë janë e ardhmja, por nuk mund të anashkalosh një kampion Evrope, një kampion Bote, që herë pas here… është pjesë e medaljeve”, tha peshëngritësi.

Në fund, Calja dha edhe deklaratën më të fortë sa i përket raportit me Federatën Shqiptare të Peshëngritjes.

“Jo më larg se para tre-katër muajve u rishpalla kampion Evrope dhe së fundmi kampion i Mesdheut, dhe mbështetja e Federatës është… më mirë mos e them sepse është qesharake”, deklaroi ai.

Kështu, Briken Calja e mbyll paraqitjen në Lojërat Mesdhetare me medalje të artë, medalje bronzi dhe katër rekorde, duke konfirmuar rikthimin e tij në elitën e peshëngritjes, por njëkohësisht duke ngritur pikëpyetje të forta mbi mbështetjen institucionale ndaj një prej sportistëve më të suksesshëm të këtij sporti në Shqipëri.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME