Arrestohet në Emiratet e Bashkuara Arabe 57-vjeçari i kërkuar nga Shqipëria, dyshohet për trafik ndërkombëtar drog

TIRANË, 1 shtator 2026 / Albania Express News / – Policia e Shtetit ka finalizuar, në bashkëpunim me autoritetet homologe në Emiratet e Bashkuara Arabe, një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, duke çuar në arrestimin provizor të një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në kuadër të bashkëpunimit mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit në Tiranë dhe homologëve të Interpol Abu Dhabit, është arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, shtetasi N. D., 57 vjeç.

Sipas Policisë së Shtetit, 57-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill të vitit 2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

N. D. dyshohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Dyshohet se bashkëfinancoi dhe koordinoi trafikun e drogës

Nga hetimet e zhvilluara nga autoritetet shqiptare dyshohet se 57-vjeçari, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, ai dyshohet gjithashtu se ka përdorur metoda të sofistikuara financiare, përfshirë transferta digjitale, për realizimin e pagesave me vlera të konsiderueshme në disa shtete, me qëllim blerjen e lëndëve narkotike.

Arrestimi në Emiratet e Bashkuara Arabe është rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar në kuadër të operacionit “The Wanted”, i cili synon lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare.

Ndërkohë, Interpol Tirana dhe Interpol Abu Dhabi vijojnë bashkëpunimin për përfundimin e procedurave ligjore që do t’i hapin rrugë ekstradimit të 57-vjeçarit në Shqipëri, ku do të përballet me procedurat e drejtësisë.

Hetimet dhe procedurat përkatëse vijojnë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME