Kastriot Skënderaj emërohet drejtor i DVP Elbasan, ndryshime në kupolën e Policisë së Shtetit, lëvizje edhe në Korçë

TIRANË ,01 shtator 2026 / Albania Express News /-Ndryshime në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit. Me vendimet e reja janë përcaktuar emërime dhe transferime në disa prej strukturave vendore dhe në departamentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Drejtuesi i Parë Kastriot Skënderaj është emëruar në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, duke zëvendësuar në këtë post drejtuesin Fatmir Hoxha. Ky i fundit, nga detyra e Drejtorit të DVP Elbasan, është emëruar Specialist në Drejtorinë për Integrimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ndryshime ka edhe në strukturat e Policisë së Beratit dhe Korçës. Drejtuesi Luigj Vathi, i cili mbante detyrën e Drejtorit të DVP Berat, është emëruar Drejtor i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.

Ndërkohë, Drejtuesi Gëzim Zhupaj, nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, është transferuar dhe emëruar Shef Sektori në Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Një tjetër lëvizje është bërë për Kryekomisarin Dashnor Muhaj, i cili transferohet nga detyra e Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike në DVP Tiranë dhe emërohet Specialist për Migracionin e Parregullt në Departamentin për Kufirin dhe Migracionin në DPPSh.

Këto ndryshime prekin drejtimin e strukturave të Policisë në Elbasan, Berat dhe Korçë, si dhe disa pozicione në strukturat qendrore të Policisë së Shtetit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME