PEQIN , 31 gusht 2026/Albania Express News/-Dy persona janë arrestuar nga Policia e Peqinit në kuadër të operacionit të koduar “Gjurmët”, ndërsa janë zbardhur dhe dokumentuar të paktën katër raste vjedhjeje në Peqin dhe Elbasan.
Në pranga kanë rënë Glendon Ymeri, 34 vjeç, dhe Florenc Janku, 37 vjeç, të dy banues në Elbasan, të dyshuar si autorë të vjedhjeve të kryera në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Sipas Policisë, tre prej rasteve janë kryer gjatë javës së fundit, ndërsa hetimet kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e dy të dyshuarve.
Nga veprimet hetimore dyshohet se Ymeri dhe Janku kanë kryer vjedhje në banesa, biznese dhe automjete në Peqin dhe Elbasan, duke marrë shuma parash dhe sende me vlerë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet të marrë me qira, që dyshohet se përdorej për kryerjen e vjedhjeve.
Gjithashtu, janë sekuestruar mjete të ndryshme që dyshohet se përdoreshin për hapjen e dyerve, bravave dhe qepenave, si dhe veshje që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale të dy personave të arrestuar, si dhe për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjes që ata mund të kenë kryer.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

