Mariglen Disha falënderon zjarrfikësit, FA-në, Policinë dhe banorët për përballimin dhe vënien në kontroll të flakëve që dogjën 20 ha pyll dushku , rrezikuan banesat dhe jetën e banorëve në fshatin Vehçan të Librazhdit : “Do monitorojmë situatën deri në eliminimin e plotë të rrezikut”

LIBRAZHD , 30 gusht 2026/Albania Express News/-Situata tejet e rëndë që u krijua të premten nga një zjarr me përmasa të mëdha i cili përfshiu një sipërfaqe jashtëzakonisht të madhe të fshatit Vehçan në Njësinë Administrative Hotolisht në Bashkinë Librazhd shkaktoi djegien e  20 hektarë me pyll dushku dhe rrezikoi seriozisht banesat dhe sigurinë e banorëve.

Flakët u përhapën me shpejtësi në territor, duke krijuar një situatë të vështirë për shkak të afërsisë me zonat e banuara. Për të evituar rrezikun u organizua një operacion i gjerë për shuarjen dhe izolimin e vatrave të zjarrit, me ndërhyrje të koordinuar nga toka dhe ajri.

Në operacion u angazhuan shërbimi zjarrfikës i Bashkisë Librazhd, strukturat zjarrfikëse të bashkive të tjera të qarkut, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura dhe Policia e Shtetit. Në përpjekjet për të frenuar përhapjen e flakëve kanë kontribuar edhe banorët e zonës.

Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, përmes një postimi në rrjetet sociale bëri të ditur se, pas disa orësh përballje me flakët, situata u arrit të vihej nën kontroll.

Disha falënderoi të gjitha strukturat dhe qytetarët që u angazhuan në operacion, duke vlerësuar bashkëpunimin mes shërbimeve vendore dhe institucioneve të emergjencave.

“Prej disa orësh, Vehçani u përball me një situatë të rëndë si pasojë e një zjarri me përmasa të mëdha, i cili rrezikoi seriozisht banesat dhe jetën e banorëve”, deklaroi kryebashkiaku Mariglen Disha.

Sipas tij, ndërhyrja e koordinuar nga toka dhe ajri bëri të mundur që zjarri të vihej nën kontroll dhe të shmangej përshkallëzimi i situatës.

Megjithatë, pavarësisht kontrollit të flakëve, monitorimi në terren do të vijojë për të shmangur riaktivizimin e vatrave dhe për të eliminuar çdo rrezik të mëtejshëm për banesat dhe komunitetin.

Kryebashkiaku Disha shprehu mirënjohjen për efektivët zjarrfikës, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, strukturat e emergjencave civile dhe banorët që u përfshinë në përballimin e situatës.

“Do të vijojmë të monitorojmë nga afër situatën deri në eliminimin e plotë të çdo rreziku”, bëri të ditur Disha.

Zjarri në Vehçan është një tjetër situatë emergjente që ka vënë në provë strukturat e mbrojtjes civile dhe zjarrfikësit në zonën e Librazhdit, ndërsa vijon puna për garantimin e sigurisë së banorëve dhe kontrollin e plotë të territorit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME