DIBËR , 28 gusht 2026/Albania Express News/-Trupi i pajetë i vajzës 7-vjeçare, e cila u rrëmbye nga ujërat e lumit Drin, është gjetur pas orëve të tëra kërkimesh.
Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 18:00, kur një familje, e përbërë nga një i rritur dhe katër fëmijë, u përball me shtimin e menjëhershëm të nivelit të ujit në lumë, si pasojë e hapjes së portave të Liqenit të Spilesë në Dibër të Madhe.
Banorë të zonës dhe persona të tjerë që ndodheshin pranë lumit ndërhynë për t’i shpëtuar familjarët, duke arritur të nxjerrin nga uji tre fëmijë dhe të rriturin, të cilët ishin kapur pas drurëve dhe shkurreve përgjatë lumit.
Rasti ka rikthyer shqetësimet për rrezikun që paraqet hapja e portave të hidrocentralit dhe rritja e menjëhershme e prurjeve në lumin Drin, veçanërisht për personat që frekuentojnë zonën gjatë sezonit të verës.
Raste të ngjashme janë shënuar edhe më herët, ndërsa kompania energjetike në Maqedoninë e Veriut nuk ka një grafik të përcaktuar dhe të bërë publik për oraret e vënies në punë të turbinave dhe hapjes së portave.
Vetëm pak ditë më parë, disa turistë të huaj u rrezikuan nga rritja e menjëhershme e nivelit të ujit në Drin, por fatmirësisht u shpëtuan falë ndërhyrjes së personave që ushtrojnë rafting në këtë lumë.

