Ish-trajneri dhe futbollisti i njohur i Elbasanit, Luan Deliu, ka folur për startin e këtij sezoni të ekipit. “Starti i Elbasanit është shumë i mirë. Ekipi e ka nisur me një lojë ndryshe, në kuptimin që di të ndërtojë qartë në veprimet sulmuese, organizative dhe mbrojtëse. Pra, kemi një skuadër të kompletuar dhe në këto dy ndeshje kemi parë një Elbasan ndryshe për këtë sezon. Kemi shumë besim te ky ekip dhe ajo që më pëlqen më shumë nuk është vetëm loja, por edhe puna që bëhet në tërësi. Elbasani është një skuadër që ia vlen ta shohësh dhe të bëhesh tifoz i saj”, tha Deliu.
Ai shtoi se në ndeshjen e dytë, edhe pse munguan tre lojtarë të rëndësishëm, u pa që alternativat nuk sollën diferenca. “Ata iu përgjigjën lojës ashtu siç duhej. Para ndeshjes të gjithë e konsideronin të vështirë, sepse përballë ishte një ekip si Egnatia, që vitet e fundit është kthyer në skuadër elitare me futboll cilësor. Elbasani kishte entuziazëm dhe kjo u tregua edhe nga tifozeria e zjarrtë, e cila e mbështet ekipin kudo. Natyrisht na vjen keq që nuk arritëm të fitonim, pavarësisht penalltisë së dhënë dhe rastit të kontestuar në fund. Nuk e kuptoj pse nuk u thërrit asnjëherë VAR-i edhe në disa episode të tjera gjatë lojës, megjithëse në tërësi arbitri nuk bëri keq,” tha ai.
Deliu theksoi gjithashtu momentet pozitive të lojës: “Goli i parë ishte një aksion model, po ashtu edhe ekzekutimi, pa lënë jashtë vlerësimit edhe momentet e mira të Egnatias që tregoi potencial”, vijoi më tej Luan Deliu. Ai foli edhe për merkaton dhe rëndësinë e kolektivit: “Ndonjëherë merkatot me shumë lëvizje prishin punë. Futbolli është lojë kreative dhe bazohet te kolektivi. Kur lojtarët vijnë rishtas, shpesh ky kreativitet bie. Elbasani ka krijuar bazën dhe ato skuadra që kanë bazë të tillë, e ngrenë nivelin e lojës shumë lart, si Dinamo apo Egnatia në sezonet e fundit. Me grupin që ka aktualisht dhe ndihmën e stafit bashkë me trajnerin, si dhe me punën e mirë të drejtuesve, ky Elbasan po ndërton diçka që shihet e ndjehet. Dhe duhet kuptuar: është shumë e vështirë të ndërtosh diçka të tillë.”
Në fund, Deliu vlerësoi afrimet e reja: “Për mua, dy afrimet kryesore si Ben Shimon në sulm dhe portieri Janaçek janë efikase. Edhe djemtë e rinj që janë afruar kanë dhënë sinjale pozitive. Një gjë dua të theksoj, si këshillë për të gjitha ekipet shqiptare: çdo element i ri që vjen nga merkatoja duhet të jetë më i fortë sesa ai që kemi aktualisht. Te Elbasani po rriten elementë të rinj, dhe përmend këtu veçanërisht Boriçin, i cili pavarësisht moshës, premton shumë për të ardhmen dhe mund të bëhet lojtar elitar.”
albaniaexpress.al