NGA FATMIR POPJA
ELBASAN , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Vera e vitit 2026 po shoqërohet me temperatura të larta, thatësirë dhe kushte që favorizojnë përhapjen e shpejtë të zjarreve. Për një bashki si Elbasani, me një territor të gjerë dhe një mori zonash urbane, rurale, pyjore, kullota, ullishte dhe zona industriale, puna e shërbimit zjarrfikës nuk kufizohet vetëm te shuarja e flakëve.
Nga zjarret në masivet pyjore e kullotat, te apartamentet shumëkatëshe, banesat private, bizneset, magazinat, kompanitë industriale, aksidentet rrugore, përmbytjet dhe operacionet e shpëtimit në lumenjtë Shkumbin e Devoll, efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit përballen çdo ditë me situata ku vendimet dhe reagimi i shpejtë mund të përcaktojnë fatin e jetëve njerëzore.
Në këtë intervistë, Drejtori i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Bashkinë Elbasan, z. Emirjon Sota, flet për situatën e kësaj vere, rreziqet që mbeten ende aktive, kapacitetet e shërbimit, investimet e fundit, kushtet e punës së efektivëve, problematikat e ndërhyrjeve dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve.
INTERVISTA
Zoti Sota, jemi në fundin e muajit gusht, një periudhë që tradicionalisht konsiderohet ndër më të rrezikshmet për zjarret. Si paraqitet situata në territorin e Bashkisë Elbasan këtë verë?
Dua të nis duke shprehur një falënderim të sinqertë për të gjithë qytetarët për kujdesin e treguar, si dhe për të gjitha institucionet që deri në këtë moment kanë bashkëpunuar dhe kanë kryer me përkushtim detyrën e tyre në parandalimin dhe përballimin e zjarreve.
Një vlerësim i veçantë shkon për Drejtorinë e Pyjeve, Emergjencat Civile, Policinë Bashkiake, Policinë e Shtetit dhe çdo strukturë tjetër që ka qenë në gatishmëri dhe ka kontribuar në ruajtjen e sigurisë së qytetarëve dhe të pasurisë.
Megjithatë, duhet të jemi shumë të qartë . Periudha më e vështirë nis pikërisht tani dhe pritet të zgjasë deri në fund të muajit gusht. Ky është tradicionalisht një muaj me rrezik shumë të lartë për zjarret për shkak të temperaturave të larta, thatësirës dhe erërave, të cilat mund të favorizojnë përhapjen e flakëve me shpejtësi.
Masat e marra, koordinimi ndërinstitucional dhe ndërgjegjësimi i komunitetit deri tani kanë dhënë rezultate. Por kjo nuk do të thotë se rreziku ka kaluar. Përkundrazi, për shkak të thatësirës dhe temperaturave të larta, vigjilenca duhet të jetë maksimale.
Elbasani është një nga bashkitë me territorin më të madh në vend. Sa e vështirë është për një strukturë zjarrfikëse të mbulojë një territor të tillë?
Është një nga sfidat kryesore. Jemi një nga bashkitë me territorin më të madh në rang kombëtar dhe kjo do të thotë distanca të konsiderueshme, zona të thella, terrene të vështira dhe një shumëllojshmëri situatash emergjente.
Puna jonë nuk kufizohet vetëm në qytetin e Elbasanit. Ne kemi një territor të gjerë ku përfshihen 6 rajone dhe 12 njësi administrative . Pra një territor ku bëjnë pjesë zona urbane, fshatra, masive me pyje, kullota, ullishte, zona industriale, lumenj, rezervuarë dhe zona me rrezikshmëri të ndryshme.
Për këtë arsye, organizimi, gatishmëria dhe shpejtësia e reagimit janë jashtëzakonisht të rëndësishme.
Kur flasim për zjarrfikësit, publiku shpesh mendon vetëm për zjarret në pyje. Por në fakt, spektri i ndërhyrjeve tuaja është shumë më i gjerë. Me çfarë situatash përballeni?
Absolutisht. Zjarret nuk janë vetëm në pyje, kullota apo ullishte. Në përditshmërinë tonë jemi përballur pothuajse me të gjitha llojet e situatave emergjente.
Kemi ndërhyrje në apartamente, edhe në kate të larta, deri në katin e 13-të , në shtëpi private, biznese, magazina, kompani të mëdha dhe në zonën industriale të ish-Kombinatit Metalurgjik.
Kemi raste të shpeshta me djegie automjetesh aksidentale dhe të qëllimshme , aksidente rrugore mjaft të rënda ku përfshihen herë një e dy , por edhe disa automjete, përmbytje, si dhe operacione shpëtimi për persona të cilëve u është rrezikuar jeta në rrjedhën e lumenjve Shkumbin dhe Devoll, në rezervuarë dhe në zona të tjera ujore.
Po ashtu, kemi marrë pjesë edhe në operacione për nxjerrjen e trupave nga rrjedhat e lumenjve.
Pra, me një fjalë, shërbimi zjarrfikës është një strukturë që përballet me emergjenca të çdo natyre dhe jo vetëm me zjarrin.
Cilat janë ndërhyrjet më të vështira nga pikëpamja e sigurisë për vetë efektivët?
Çdo ndërhyrje mbart rrezik. Kur një ekip zjarrfikës niset drejt një zjarri në një magazinë, banesë apo biznes, shpesh nuk ka informacion të detajuar se çfarë materiali po digjet brenda.
Kjo është mjaft kritike për sigurinë e punonjësve, sepse mund të kemi materiale të ndryshme, substanca që prodhojnë tymra toksikë, bombëla gazi ,temperatura shumë të larta apo rrezik shembjeje të strukturave.
Një tjetër situatë jashtëzakonisht kritike janë zjarret në masivet pyjore, kullota dhe ullishte. Aty kemi një faktor që nuk mund ta kontrollojmë si drejtimin dhe shpejtësinë e erës.
Mund të duket se zjarri është nën kontroll dhe në pak minuta ndryshimi i drejtimit të erës mund ta kthejë situatën në një rrezik serioz për jetën e efektivëve.
Sa e rëndësishme është ndërhyrja në minutat e para?
Është vendimtare. Sa më herët të njoftohemi, aq më e madhe është mundësia për ta izoluar dhe kontrolluar një vatër përpara se ajo të marrë përmasa të mëdha.
Pikërisht për këtë arsye apelojmë vazhdimisht që qytetarët të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë në numrin 128.
Një njoftim i hershëm mund të bëjë diferencën mes një zjarri të vogël dhe një situate që më pas kërkon shumë mjete, shumë forca dhe shumë orë pune.
Çfarë roli ka luajtur ndërgjegjësimi i qytetarëve gjatë kësaj periudhe?
Ne kemi punuar shumë për sensibilizimin dhe edukimin e qytetarëve për mbrojtjen nga zjarri.
Kemi nisur nga shkollat, nga çdo njësi administrative dhe kemi shkuar deri në lagjet dhe fshatrat më të largëta të Bashkisë Elbasan.
Qëllimi është që qytetari të mos jetë vetëm personi që kërkon ndihmë pasi ka ndodhur një emergjencë, por të jetë pjesë e parandalimit.
Një pjesë e madhe e zjarreve mund të parandalohen nëse tregohet kujdes me përdorimin e zjarrit në ambiente të hapura, me mbetjet, me aktivitetet bujqësore dhe me çdo veprim që mund të shkaktojë një vatër.
Sa e rëndësishme është që qytetarët të kuptojnë se edhe pakujdesia mund të ketë pasoja të rënda?
Është shumë e rëndësishme. Një zjarr i ndezur në mënyrë të pakontrolluar mund të përhapet brenda pak minutash.
Dua ta theksoj fort faktin që ndezja e qëllimshme apo nga pakujdesia e zjarreve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj.
Mbrojtja e pyjeve, kullotave, ullishteve dhe mjedisit nuk është vetëm detyrë e zjarrfikësve apo institucioneve. Është përgjegjësi e përbashkët.
Le të flasim për kapacitetet e shërbimit zjarrfikës në Elbasan. Me sa efektivë dhe mjete operacionale dispononi aktualisht?
Stacioni zjarrfikës i Bashkisë Elbasan ka aktualisht 40 forca operacionale dhe një flotë prej 8 mjetesh.
Nga këto, 6 janë mjete janë me pompë luftuese, kemi 1 autobot dhe 1 autoshkallë.
Sigurisht, nevojat janë të mëdha, sidomos duke pasur parasysh territorin dhe problematikat me të cilat përballemi, por modernizimi i shërbimit ka qenë një proces i vazhdueshëm.
Së fundmi flotës i janë shtuar edhe dy mjete të reja. Çfarë ndryshon kjo në praktikë?
Dy mjete të reja moderne i janë shtuar flotës së stacionit zjarrfikës në Elbasan. Ato janë të pajisura për ndërhyrje në zjarre masive, aksidente rrugore dhe situata të tjera emergjente.
Ky është një investim shumë i rëndësishëm, sepse një mjet modern do të thotë kapacitet më i madh ndërhyrjeje, reagim më i shpejtë dhe siguri më e madhe si për qytetarët, ashtu edhe për vetë efektivët.
Investimi është realizuar nga Bashkia Elbasan, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Emergjencat Civile.
Ne jemi mirënjohës për këtë mbështetje. Pajisja me automjete të reja përkthehet drejtpërdrejt në më shumë siguri për qytetarët dhe në rritje të gatishmërisë për t’iu përgjigjur çdo emergjence.
Është paralajmëruar edhe ndërtimi i një stacioni të ri zjarrfikës në zonën industriale. Sa i rëndësishëm është ky projekt?
Është shumë i rëndësishëm. Zona industriale e Elbasanit është një nga zonat ku ndër vite janë regjistruar disa prej zjarreve më të mëdha dhe më të vështira për t’u menaxhuar.
Ngritja e një stacioni të ri në këtë zonë do të shkurtonte kohën e reagimit dhe do të rriste ndjeshëm kapacitetin tonë për ndërhyrje.
Modernizimi nuk duhet parë vetëm si blerje automjetesh. Ai duhet të përfshijë zgjerimin e rrjetit të stacioneve, pajisjet, infrastrukturën dhe burimet njerëzore.
Një tjetër investim është bërë në rrjetin e hidrantëve. Çfarë situate paraqitet aktualisht?
Në Kodër Krastë në periferi të qytetit të Elbasanit ka përfunduar vendosja e hidrantëve të rinj. Është një ndërhyrje e domosdoshme, sidomos duke pasur parasysh eksperiencën e viteve të kaluara me zjarret në këtë zonë.
Hidrantët garantojnë mundësi për furnizim më të shpejtë me ujë dhe rrjedhimisht një reagim më efikas.
Paralelisht, vijon pajisja me hidrantë edhe në pjesë të tjera të qytetit.Aktualisht, në territorin e qytetit të Elbasanit funksionon një rrjet prej 60 hidrantësh uji për mjetet zjarrfikëse.
Ky është një element shumë i rëndësishëm i infrastrukturës së sigurisë.
Përtej mjeteve dhe infrastrukturës, sa rëndësi ka faktori njerëzor?
Është themelor. Mjetet janë të domosdoshme, por në fund të fundit janë njerëzit ata që hyjnë në një banesë që digjet, afrohen pranë një automjeti të aksidentuar, hyjnë në një zonë me tym apo përballen me një zjarr pyjor që ndryshon drejtim.
Për këtë arsye, trajnimi, përgatitja, pajisjet mbrojtëse dhe kushtet e punës janë jashtëzakonisht të rëndësishme.
Dua të theksoj se qeveria shqiptare së fundi ka ndërmarrë masa konkrete edhe për përmirësimin e kushteve të punës së efektivëve zjarrfikës, duke miratuar vendimin nr. 203 për trajtimin financiar të orëve të natës, fundjavave dhe ditëve të festave, si edhe një vendim tjetër që rregullon sistemin e gradave në shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Këto janë hapa që vlerësohen nga efektivët.
Zjarret nuk respektojnë kufijtë administrativë. A keni pasur bashkëpunim me bashkitë e tjera këtë vit?
Po. Gjatë këtij viti dhe gjatë kësaj vere kemi dhënë ndihmë në bashkitë e Qarkut Elbasan, por edhe në Tiranë dhe Krujë.
Në të njëjtën kohë, kur kemi pasur nevojë, kemi marrë mbështetje nga bashkitë fqinje.
Një shembull konkret është ndihma që kemi marrë gjithmonë edhe nga të tjerët .Edhe gjatë kësaj jave nga stacioni zjarrfikës i Cërrikut kemi patur mbështetje në një rast mjaft problematik .
Ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm, sepse në situatat e mëdha kapacitetet e një strukture të vetme mund të mos jenë të mjaftueshme.
A mund të themi se koordinimi ndërinstitucional ka qenë një nga faktorët që ka ndihmuar në menaxhimin e kësaj vere?
Patjetër. Koordinimi është thelbësor.
Shërbimi zjarrfikës nuk mund të funksionojë i izoluar. Në varësi të situatës, kemi nevojë për Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, Emergjencat Civile, Drejtorinë e Pyjeve, strukturat e bashkisë dhe shërbime të tjera.
Kur të gjithë veprojnë në mënyrë të koordinuar, reagimi bëhet më efikas dhe rreziku menaxhohet më mirë.
Cila është sfida më e madhe që ju shqetëson në këto ditë të fundit të gushtit?
Thatësira dhe temperaturat e larta mbeten shqetësimi kryesor.Edhe nëse deri tani situata është menaxhuar mirë, kjo nuk do të thotë se mund të ulim vigjilencën.
Një masiv pyjor, një kullotë apo një ullishte që është tharë nga temperaturat e larta mund të marrë flakë shumë shpejt dhe zjarri mund të përhapet në varësi të erës dhe terrenit.
Prandaj, periudha e rrezikut nuk duhet konsideruar e mbyllur.
Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Elbasanit në këtë fundvere?
Mesazhi im është shumë i thjeshtë dhe mjaft i qartë .Kujdes maksimal dhe reagim i menjëhershëm.
Të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura. Të mos hedhin materiale që mund të shkaktojnë zjarr. Të tregojnë kujdes në zonat pyjore, kullota dhe ullishte dhe, mbi të gjitha, të raportojnë menjëherë çdo vatër të dyshimtë në numrin 128.
Njoftimi i hershëm dhe reagimi i shpejtë janë vendimtarë për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe për të shmangur pasoja të rënda.Mbrojtja e pyjeve, kullotave dhe mjedisit është një përgjegjësi e përbashkët.
Në fund, çfarë do të donit t’u thonit efektivëve zjarrfikës që janë çdo ditë në terren?
Dua t’i falënderoj për punën, përkushtimin dhe sakrificën e tyre.Ata janë njerëzit që në momentin kur të tjerët largohen nga rreziku, hyjnë drejt tij për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur pronën.
Ne si Drejtori e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Elbasan do të vazhdojmë të punojmë për forcimin e kapaciteteve, përmirësimin e kushteve të punës, modernizimin e mjeteve dhe rritjen e bashkëpunimit me të gjitha strukturat.
Qëllimi ynë është i vetëm .Të jemi sa më të gatshëm për çdo emergjencë dhe të
mbrojmë jetën dhe pronën e qytetarëve.Dhe për qytetarët, mesazhi mbetet i njëjtë. Kujdesi i secilit prej nesh është një pjesë e rëndësishme e sigurisë së të gjithëve.

