Nga Fatos Lamaj
TIRANË ,18 gusht 2026/Albania Express News/-Java e parë e Abissnet Superiores sjell disa përballje me histori të pasur dhe bilance interesante mes skuadrave. Përpara startit të sezonit të ri, statistikat e përballjeve direkte ofrojnë një tjetër këndvështrim për katër prej dueleve që pritet të tërheqin vëmendjen.
Një prej përballjeve më të njohura është Partizani–Teuta, duel që është zhvilluar 84 herë në ndeshje zyrtare. Bilanci anon dukshëm në favor të të kuqve, të cilët kanë regjistruar 42 fitore, ndërsa Teuta ka triumfuar në 18 raste. 24 ndeshje janë mbyllur në barazim.
Edhe golavarazhi flet për Partizanin, me kryeqytetasit që kanë shënuar 115 gola kundrejt 66 të Teutës. Fitorja më e thellë e Partizanit ndaj durrsakëve ka qenë 5-1, ndërsa Teuta e ka mundur Partizanin me rezultatin maksimal 4-0.
Një tjetër përballje që tërheq vëmendjen është Laçi–AF Elbasani. Dy skuadrat kanë një histori prej 25 përballjesh zyrtare, ku kurbinasit kanë dalë fitues në 15 raste, AF Elbasani në 8, ndërsa vetëm dy takime janë mbyllur në barazim.
Në bilancin e golave, Laçi kryeson 34-28. Megjithatë, historia e këtij dueli ka regjistruar edhe rezultate spektakolare. AF Elbasani mban në arkiv një prej fitoreve më të thella, me suksesin 7-0 ndaj kurbinasve, ndërsa fitorja më e thellë e Laçit ka qenë 4-0. Përballjet e fundit mes dy skuadrave kanë qenë dukshëm më të ngushta, çka i shton interesin sfidës së re.
Dinamo City –Vora është një duel me histori më të shkurtër. Dy skuadrat janë përballur 10 herë në ndeshje zyrtare, me Dinamo City që ka regjistruar 7 fitore, Vorën 2, ndërsa një takim ka përfunduar në barazim.
Edhe në këtë përballje statistikat e golave janë në favor të Dinamo City . Kryeqytetasit kanë shënuar 17 gola, ndërsa Vora 7. Fitorja më e thellë e Dinamo City ka qenë 3-0, ndërsa Vora e ka mundur maksimalisht Dinamon me rezultatin 1-0. Bilanci i 10 përballjeve të fundit konfirmon raportin 7 fitore për Dinamo City , 1 barazim dhe 2 fitore për Vorën.
Në javën e parë do të luhet edhe Egnatia–Tirana, një duel që vitet e fundit është kthyer në një prej përballjeve më interesante të kampionatit shqiptar. Në 24 përballje zyrtare, Tirana ka regjistruar 14 fitore, Egnatia 6, ndërsa 4 ndeshje janë mbyllur në barazim.
Golavarazhi është 41-21 në favor të bardhebluve. Megjithatë, Egnatia ka regjistruar edhe fitore të rëndësishme dhe të thella ndaj Tiranës, përfshirë suksesin 4-0. Nga ana tjetër, Tirana ka arritur fitoren e saj më të thellë ndaj rrogozhinasve me rezultatin 5-0. Përballjet e sezonit të kaluar tregojnë se ky duel ka qenë veçanërisht i paparashikueshëm, me katër ndeshje të zhvilluara dhe dy fitore për secilën skuadër.
Kështu, starti i Abissnet Superiores vjen me një kombinim mes historisë dhe së tashmes. Partizani hyn në duelin me Teutën me një avantazh të qartë statistikor, Elbasani rikthehet përballë Laçit me kujtimin e fitores historike 7-0, Dinamo kërkon të ruajë dominimin ndaj Vorës, ndërsa Egnatia dhe Tirana përballen në një duel ku historia është në favor të bardhebluve, por forma dhe zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar se diferencat mund të ndryshojnë shpejt.
Në fund, statistikat mbeten vetëm pjesë e historisë. Në fushë, çdo skuadër do të nisë nga zero dhe sfidat e javës së parë do të japin përgjigjet e para për formën, ambiciet dhe objektivat e sezonit të ri.

