Ndahet nga jeta Erdogan Celina, ikona e futbollit të Kosovës/ Presidenti i FFK ,Agim Ademi : “Celina ishte kapiten i një gjenerate të tërë të futbollit të Kosovës”

PRISHTINË ,16 gusht 2026/Albania Express News/- Futbolli i Kosovës është përfshirë nga dhimbja pas lajmit për ndarjen nga jeta të Erdogan Celinës, një prej figurave më të shquara dhe më të respektuara të futbollit kosovar. Celina u nda nga jeta pas një sëmundjeje të shkurtër, duke lënë pas një karrierë të gjatë dhe një kontribut të çmuar në sportin kosovar.

Lajmi është bërë i ditur nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka shprehur dhimbjen për humbjen e një prej figurave ikonike të futbollit të Kosovës.

Erdogan Celina i përkiste brezit të artë të futbollit kosovar, një gjenerate futbollistësh që me talentin, karakterin dhe përkushtimin e tyre shkruan kapituj të rëndësishëm në historinë e këtij sporti.

Gjatë karrierës së tij si futbollist, Celina mbrojti me krenari ngjyrat e Prishtinës, ndërsa ishte pjesë edhe e Trepçës në një prej periudhave më të rëndësishme të historisë së klubit. Ai ishte pjesë e skuadrës që arriti deri në finalen e Kupës së Jugosllavisë në vitin 1978, një arritje historike për futbollin kosovar.

Por Erdogan Celina nuk u dallua vetëm për aftësitë e tij në fushën e blertë. Ai ishte një lider dhe kapiten i respektuar, një figurë që gëzonte autoritet te bashkëlojtarët dhe respekt edhe te kundërshtarët.

Sipas Agim Ademit, Celina ishte shumë më tepër se një kapiten i skuadrës ku luante. Ai ishte një nga liderët e një gjenerate të tërë futbollistësh kosovarë.

“Ishte kapiten i ekipit ku luante, por në një kuptim më të gjerë ishte edhe kapiten i një gjenerate të tërë futbollistësh të Kosovës”, është shprehur Ademi në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Karakteri, korrektësia, qetësia, profesionalizmi dhe mënyra e komunikimit e bënë Celinën një sportist të respektuar dhe një shembull për brezat e rinj. Autoriteti i tij nuk buronte vetëm nga shiriti i kapitenit, por mbi të gjitha nga personaliteti dhe vlerat që ai përcillte.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Celina vijoi të ishte i lidhur ngushtë me futbollin. Ai iu përkushtua trajningut dhe vuri përvojën e tij në shërbim të brezave të rinj dhe skuadrave kosovare.

Në rolin e trajnerit, ai drejtoi ndër të tjera Lirinë e Prizrenit, ndërsa dha kontribut edhe pranë përfaqësueses U21 të Kosovës.

Pothuajse tërë jetën e tij Erdogan Celina ia kushtoi futbollit. Për komunitetin sportiv, trashëgimia e tij nuk lidhet vetëm me ndeshjet, rezultatet apo trofetë, por edhe me vlerat njerëzore, respektin, miqësitë dhe shembullin që la pas.

“Me ndarjen e Erdogan Celinës, futbolli i Kosovës humbi një prej figurave të tij ikonike, ndërsa komuniteti ynë sportiv humbi një personalitet të rrallë, një lider të një gjenerate dhe një njeri të shkëlqyer”, u shpreh presidenti i FFK-së.

Në mesazhin e tij, Agim Ademi i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Celina, të afërmve, miqve, bashkëlojtarëve, bashkëpunëtorëve dhe gjithë komunitetit të futbollit.

“Lamtumirë, Erdogan! Emri yt dhe kontributi yt do të jenë gjithmonë pjesë e historisë sonë. U prehsh në paqe miku im!”, përfundon mesazhi i presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Humbja e Erdogan Celinës shënon një tjetër dhimbje për futbollin kosovar, ndërsa emri dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e historisë së këtij sporti dhe kujtesës së brezave që e njohën si futbollist, kapiten, trajner, koleg dhe mik.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Zjarr i madh në Sarandë, flakët përfshijnë kodrën dhe krijojnë re të mëdha tymi

SARANDË , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Një zjarr ka...

Vizita e drejtorit të CIA-s në Moskë, Trump lë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje: Diçka mund të dalë nga kjo

SHBA , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Presidenti amerikan Donald...

Kombëtarja shqiptare zhvlerësohet me 30 milionë euro, sot vlen 88.8 milionë euro

TIRANË , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Një Kombëtare me...