NGA FATMIR POPJA
LIBRAZHD -PRRENJAS ,14 gusht 2026/Albania Express News/-Zjarret vijojnë të mbajnë në gatishmëri shërbimet zjarrfikëse në zonat pyjore. Në Malin e Dardhës, në Njësinë Administrative Hotolisht të Bashkisë Librazhd, një vatër zjarri ka kërkuar ndërhyrje të pandërprerë për 11 ditë me radhë, ndërsa autoritetet raportojnë se situata tashmë është izoluar dhe po monitorohet.
Sipas informacionit zyrtar të MZSH Librazhd, zjarri është aktivizuar në thellësi të masivit pyjor të Malit të Dardhës, një zonë me terren të vështirë dhe me pyll të dendur ahu. Për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt pjesëve të tjera të masivit, shërbimi zjarrfikës është detyruar të ndërhyjë edhe me kundrazjarr, duke krijuar barriera për kufizimin e vatrës.
Në operacionin e ndërhyrjes kanë marrë pjesë 18 forca, të angazhuara nga shërbimi zjarrfikës, shërbimi pyjor, strukturat e emergjencave civile dhe Njësia Administrative Hotolisht.
Rreth 7 hektarë sipërfaqe e përshkuar nga zjarri
Sipas të dhënave të MZSH Librazhd, që prej momentit të aktivizimit të zjarrit, sipërfaqja e përshkuar nga flakët llogaritet në rreth 7 hektarë.
Megjithatë, dëmet në masën e drurëve të gjallë vlerësohen si minimalë. Zjarri ka prekur kryesisht barishte, ferra, materiale të dekompozuara, humus, trungje të thata dhe filiza të rinj.
Një prej arsyeve kryesore që ndërhyrja ka zgjatur për 11 ditë lidhet me karakteristikat e terrenit dhe të materialit të djegshëm. Bëhet fjalë për një sipërfaqe pyjore që më herët është shfrytëzuar për prerje të lëndës drusore, duke lënë në terren trungje të thata, mbetje drusore, humus dhe material tjetër organik që mund të vazhdojë të digjet edhe pasi flakët në sipërfaqe janë shuar.
Pikërisht për këtë arsye, shërbimi zjarrfikës thekson se fikja 100 për qind e vatrës nuk mund të garantohet ende, pasi në disa pika vijon procesi i djegies së humusit dhe trungjeve të thata nëntokë.
Zjarri është izoluar, por monitorimi vijon
Pas 11 ditësh ndërhyrje, sipas shërbimit zjarrfikës të Librazhdit, nga kjo e premte vatra konsiderohet plotësisht e izoluar, duke shmangur përhapjen e mëtejshme të zjarrit në masivin e dendur pyjor me ah.
Megjithatë, për shkak të pranisë së materialeve të thata dhe mundësisë që vatra të riaktivizohet në pika të ndryshme, ekipet zjarrfikëse dhe strukturat pyjore do të vijojnë monitorimin e zonës.
Autoritetet po mbajnë nën kontroll veçanërisht pjesët ku ka akumulim humusi, trungje të thata dhe material të dekompozuar, të cilat mund të ruajnë nxehtësinë dhe të favorizojnë riaktivizimin e zjarrit.
Disa vatra edhe në Prrenjas
Situata me zjarret pyjore është paraqitur problematike edhe në territorin e Bashkisë Prrenjas, ku gjatë kësaj jave janë evidentuar disa vatra.
Në Rrajcë, një vatër zjarri e konstatuar gjatë ditës së djeshme është neutralizuar në një kohë të shkurtër, falë ndërhyrjes së shërbimeve zjarrfikëse.
Ndërkohë, një situatë tjetër vijon të paraqitet në Malin e Qukësit, në kufi me Malin e Xhyrës. Sipas të dhënave të shërbimeve lokale, zjarri është aktivizuar që prej pasdites së së enjtes dhe deri në orët e para të së premtes kishte përshkuar një sipërfaqe pylli të dendur me ah prej të paktën 3 dynymësh.
Kjo vatër vijon të jetë aktive dhe ekipet e shërbimit zjarrfikës të Bashkisë Prrenjas janë në terren për shuarjen e saj. Në operacion është kërkuar edhe bashkëpunimi i strukturave zjarrfikëse të Bashkisë Librazhd, duke angazhuar forca dhe mjete për të parandaluar përhapjen e flakëve në masivin pyjor.
Vëmendje e shtuar për zonat pyjore
Zjarret e raportuara në Malin e Dardhës, Rrajcë dhe Malin e Qukësit rikthejnë në vëmendje rrezikun që paraqesin temperaturat e larta dhe materialet e thata në zonat pyjore gjatë kësaj periudhe.
Në terrene të dendura dhe të vështira për t’u aksesuar, ndërhyrja e zjarrfikësve bëhet edhe më komplekse, ndërsa prania e humusit, trungjeve të thata dhe mbetjeve të lëndës drusore mund të bëjë që një vatër të vijojë të jetë aktive për ditë të tëra edhe pasi flakët në sipërfaqe janë kufizuar.
Për këtë arsye, strukturat zjarrfikëse dhe ato pyjore po vijojnë kontrollet në terren, me synim parandalimin e çdo riaktivizimi dhe përhapjeje të mëtejshme të zjarreve.









