TIRANË ,09 gusht 2026/Albania Express News/-Një foto nga pushimet e fundjavës, por me një mesazh që duket se shkon përtej relaksit në bregdet. Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, ka ndarë në Facebook një moment nga bregdeti i Jonit, ku shfaqet në një tavolinë shahu poshtë çadrës së plazhit së bashku me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Në sfond duket deti, rëra e pastër e bregut, ndërsa pranë tavolinës bien në sy edhe dy flamingo plastike. Por ajo që i ka dhënë “kripë” fotos është përshkrimi i zgjedhur nga kryebashkiaku Disha:
“Dy pushtete, një tavolinë dhe shumë strategji… pjesa tjetër është thjesht lojë.” ♟️😄
Një fjali e shkurtër, por me hapësirë të madhe për interpretim.
“Dy pushtete”, një tavolinë shahu dhe “shumë strategji” .Kryebashkiaku i Librazhdit duket se e ka shndërruar një moment pushimesh në një metaforë politike. Në shah, çdo lëvizje ka një qëllim, ndërsa çdo figurë mund të ndryshojë fatin e lojës.
Dhe pikërisht këtu nis edhe kurioziteti .Ç’farë strategjie po diskutohej mes kryebashkiakut dhe ministrit nën hijen e çadrës së plazhit?
A ishte thjesht një miqësi dhe një lojë shahu mes dy zyrtarëve, apo fotoja mbart një mesazh më të gjerë politik? Disha nuk jep asnjë shpjegim tjetër, duke e lënë frazën e tij të hapur për interpretim.
Në një kohë kur vendimmarrja politike shpesh krahasohet me një lojë shahu, fotografia e dy zyrtarëve në të njëjtën tavolinë, me detin në sfond, mund të lexohet si një “teaser” politik.Dy aktorë , një tavolinë dhe lëvizje që, sipas vetë autorit të postimit, duket se nuk janë thjesht pjesë e lojës.
Për momentin, mbetet vetëm një pyetje.Kush bëri lëvizjen e parë dhe kush do të thotë “shah-mat”? ♟️😄

